Rusia i ka vazhduar edhe sot, për të dytën ditë me radhë, sulmet ajrore kundër caqeve në Siri, me përdorimin e një baze ajrore në Iran.
Ministria e mbrojtjes së Rusisë tha se sulmet janë kryer me aeroplanët e tipit Su-34, që janë ngritur nga baza ajrore Hamadan, në pjesën veriperëndimore të Iranit.
Janë sulmuar caqet në provincën, Deir ez-Zor, në Siri.
Kjo ministri tha se të gjithë aeroplanët janë kthyer të sigurtë dhe pretendohet se janë vrarë “më tepër se 150 militantë, përfshirë mercenarët e jashtëm”.
Njëherësh, një burim në Ministrinë e jashtme të Rusisë i ka hedhur poshtë deklaratat e Shteteve të Bashkuara se vendimi i Kremlinit për ndërmarrje të sulmeve ajrore kundër caqeve në Siri, nga një bazë në Iran, paraqet shkelje të rezolutave të Kombeve t Bashkuara.
“Interpretimi amerikan i Rezolutës së Këshillit të Sigurimit Kombeve të Bashkuara është i gabuar dhe befasues”, i ka thënë agjencisë Interfax ky burim në Ministrinë e jashtme ruse.
Pasi dje Rusia i ka filluar sulmet ajrore kudër caqeve në Siri nga baza në Iran, zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Mark Toner, tha se operacioni mund të paraqes shkelje të rezolutës që e ndalon praninë e aeroplanëve luftarakë në Iran.
Kryesusesi i Parlamentit të Iranit, Ali Larijani, tha sot se Rusia nuk ka bazë të përhershme ushtarake në Iran, por është shprehur se Irani ka “bashkëpunim të mirë me Rusinë dhe ne këtë e themi zëshëm dhe qartas”.