Adem Grabovci jep dorëheqje nga detyra e kryetarit të GP të PDK-së

Adem Grabovci

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Adem Grabovci, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka dhënë dorëheqje nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Ditëve të fundit janë publikuar biseda në medie të cilat kanë pasur për objekt emrin dhe autoritetin tim politik e njerëzor. Me siguri se këto kanë krijuar një ambient jo të këndshëm për opinionin publik, institucionet e vendit, PDK-në, por edhe për mua dhe familjen time.

“Me qëllim të reagimit tim moral dhe politik ndaj një çështje të tillë dhe hapjes së mundësisë së trajtimit adekuat ligjor të këtij rasti, i cili ka prekur edhe privatësinë, por edhe autoritetin e subjektit politik dhe timin personal, ofroj dorëheqje nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së”, ka thënë Grabovci.

Një numër shkrimesh janë publikuar në mediet lokale të Kosovës, me përmbajtjen e bisedave të përgjuara të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në të cilat përfshihen edhe presidenti aktual Hashim Thaçi dhe kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli.

Përmbajtja e bisedave të përgjuara ka ngjallur një numë reagimesh në Kosovë, në veçanti të shoqërisë civile e të qytetarëve, që i kanë cilësuar ato si shpërdorim të detyrës dhe nepotizëm.

Kryeprokurori i shtetit ka ngritur një komision hetimor për të vlerësuar nëse përmbajtja e bisedave të përgjuara “mund të inicojë hetime të mëtejme apo ngritje të padisë”. (REL)