Thaçi vendos kurorë lulesh në pllakën përkujtimore në Gorazhdec

Presidenti, Hashim Thaçi, vendos kurorë lulesh në Gorazhdec të Pejës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur kurorë lulesh në pllakën përkujtimore në Gorazhdec të Pejës, në përkujtim të të rinjve të vrarë të komunitetit serb, në një sulm ende të pazbuluar, më 13 gusht 2003. Thaçi ka bërë thirrje që autorët e krimit të dalin para drejtësisë.

“Sot vura kurorë lulesh në këtë memorial për të përkujtuar sulmin kriminal kundër të rinjve të fshatit Gorazhdec, 14 vite më parë, në të cilin u vranë dy të rinj e u plagosën katër të tjerë”, u shpreh presidenti Thaçi para gazetarëve.

“E tillë do të duhej të ishte edhe për rreth 400 fëmijë shqiptarë nën moshën 15 vjeç që gjatë luftës u vranë nga shteti i Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërkaq, fëmijët në Gorazhdec, vijoi ai, “u vranë nga dora kriminale, e jo nga shteti”.

Ai ëshët zotuar se “nuk do të ketë forcë e as dorë kriminale që do të vrasë të ardhmen, lojën dhe gëzimin e fëmijëve të Kosovës”.

Gjithashtu, ai ka kërkuar që të zbardhet fati i të gjithë personave të zhdukur të luftës, qofshin ata shqiptarë, serbë, romë apo të çfarëdo komuniteti tjetër.

“Sot, kur po punojmë për të ndërtuar paqe, pajtim dhe bashkëpunim mes popujve të rajonit, është e rëndësishme të theksojmë se për pajtim të sinqertë është e domosdoshme drejtësia. Pajtimi në mes shqiptarëve dhe serbëve është i mundur dhe do të ndodhë”, ka thënë Thaçi.