Luftëtarët opozitarë thonë se e çliruan Manbijin nga IS-i

Pjesëtarët e grupit SDF në qytetin Manbij në Siri

Aleanca e luftëtarëve opoztiarë në Siri, e përbërë nga kurdët dhe arabët, thotë se e ka çliruar qytetin verior sirian, Manbij, nga grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS).

Tash kjo aleancë, e njohur me emrin Forcat Demokratike të Sirisë (SDF), po e bënë kontrollin e qytetit Manbij, pas largimit të grupit të mbetur të luftëtarëve të IS-it, që ishin bllokuar në këtë qytet, tha Sharfan Darwish, zëdhënës i Këshillit luftarak të këtij qyteti, që është aleat i SDF-së.

Ai tha, po ashtu, se janë liruar 2 mijë civilë që përdoreshin si mburojë njerëzore nga militantët.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit e vet në Siri, më herët tha se afro 500 automobila janë larguar nga qyteti Manbij, duke bartur anëtarë të IS-it dhe civilë.

Thuhet se ata ishin nisur për në qytetin Jarablus, që është nën kontroll të IS-it, në kufirin e Sirisë me Turqinë.

Para dy muajve, forcat SDF, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, e filluan ofensivën për ta rimarrë kontrollin në Manbij.

Para dy vitesh ky qytet ishte okupuar nga grupi ekstremist, Shteti Islamik.