Ligjvënësit e Serbisë kanë aprovuar qeverinë e re të kryesuar nga kryeministri Aleksandër Vuçiq, pothuajse katër muaj pasi ai fitoi në zgjedhjet parlamentare në vend.
Kjo qeveri u votua sot me 163 vota për dhe me 62 kundër, pas tri ditësh të debatit të nxehtë.
Vuçiq kishte ndërprerë mandatin e tij para kohës dhe kishte bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme në muajin prill, duke thënë se atij i duhet një mandat i plotë prej katër vitesh për të zbatuar reformat dhe për ta udhëhequr vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Partia Përparimtare e Vuçiqit do të vazhdojë të jetë në koalicion me Partinë Socialiste pro-ruse.
Lideri i socialistëve dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, e ka mbajtur postin e tij qeveritar, sikurse edhe ministri i Financave, Dushan Vujoviq.
Në mesin e gjashtë ministrave të rinj të qeverisë është edhe Ana Brnabic, ministrja e parë në Serbi që e pranon hapur se është lesbike, e cila është caktuar që ta drejtojë Ministrinë e Administratës Publike.