Turqi: Pezullohet leja e mbi 27 mijë arsimtarëve 

Ilustrim

Ankaraja thotë se iu ka pezulluar lejën e punës 27 424 njerëzve që kanë punuar në sektorin e arsimit, masa këto që janë ndërmarrë kundër lëvizjes së klerikut fetar turk, Fetullah Gylen që jeton në SHBA.

Gylen akuzohet nga autoritetet turke se ka orkestruar puçin e dështuar të 15 korrikut.

Ministri i arsimit, Ismet Jilmaz ka thënë sot se personeli i përjashtuar ka qenë “pjesë e një strukture paralele” dhe se “ata nuk do të lejohen të punojnë në institucionet arsimore të sektorit publik e as atij privat”.

“Strukturat paralele” janë një term që po përdoret nga qeveria për t’iu referuar rrjetit të përkrahësve të klerikut Gylen brenda institucioneve shtetërore.

Kleriku ka hedhur poshtë çfarëdo përfshirje në puçin e muajit të kaluar që mori jetën e 270 personave.

Turqia e ka shpallur lëvizjen e tij si organizatë terroriste ndërsa insiston në ekstradimin e tij për në Turqi. Uashingtoni thotë se ka nevojë për dëshmi që flasin për përfshirjen e klerikut në grushshtet.