Maxhuni përballet me kritika nga deputetët pas sulmit ndaj Kuvendit

Kosova ka arritur të parandalojë incidente të karakterit terrorist, ndërkaq gjendja aktuale është e qetë dhe stabile, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Këto komente, ai i ka bërë para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku u ballafaqua edhe me kritika të shumta të deputetëve.

Sipas Maxhunit, Policia e Kosovës ka shënuar suksese edhe në luftën kundër krimeve të përgjithshme, sidomos atyre krimeve ekonomike, korrupsionit dhe fushave tjera.

“Me përgjegjësi e themi se kemi arrit të parandalojmë ndoshta edhe incidente të natyrës me serioze, siç janë ato të karakterit terrorist”, ka thënë Maxhuni, duke komentuar trendet shqetësuese të karakterit global të sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit.

Pas prezantimit të Maxhunit, anëtarët e Komisionit Parlamentar janë interesuar për më shumë informata në lidhje me dy rastet e fundit, siç ishte ai i sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe të shtënat me armë zjarri në ‘BeerFest’ në Prishtinë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni i ka ngritur pikërisht çështjen e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës.

“Kanë kaluar pesë ditë, ende nuk kemi informata lidhur me zhvillimet, hetimet, që bënë Policia. Është një rast që ka tronditur jo vetëm opinionin e Kosovës, por është bërë lajm i të gjitha agjencive me renome botërore”, ka thënë Quni. Sipas tij, është hipokrizi nëse vazhdohet me lëvdata përderisa nuk ka rezultate konkrete.

Në anën tjetër, Maxhuni i është përgjigjur deputetit Quni duke thënë se sulmi ndaj Kuvendit është mjaftë serioz me elemente terroriste. Ndërkaq në lidhje me tipin e armës që është përdorur, ai tha se nuk do ta publikoj atë, por shkak të hetimeve.

“Ne e vlerësojmë si një sulm, si një incident mjaftë serioz. Mbi bazën e këtij serioziteti, ne në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e shtetit, respektivisht Prokurorinë Speciale e kemi cilësuar si akt me element terrorist. Dhe do të trajtohet si i tillë”, ka thënë Maxhuni.

Në vijim, disa nga deputetët opozitar në këtë Komision kanë kritikuar Maxhunin për, siç u shprehën ata, dështimet që po ndodhin në fushën e sigurisë.

Deputeti nga radhët e partisë Nisma, Zafir Berisha tha se siguria ka ra në nivelin zero.

“Sulmi i fundit është më shumë se shqetësues sepse është sulmuar tempulli i demokracisë dhe njëri nga objektet më të rëndësishme, i rëndësisë së veçantë. Po mendoj që slogani hetimet vazhdojnë është demode”, është shprehur Berisha.

Deputetët opozitar, gradualisht po i kthehen punës së Kuvendit pas bojkotit prej disa muajve. Në mbledhjen e sotme të Komisionit, përveç Zafir Berishës nga Nisma, ishte i pranishëm edhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.

Paraprakisht punës së Kuvendit i është kthyer edhe subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje. (REL)