AFP: Majlinda e ka vënë Kosovën në hartën sportive botërore

Pamje nga dueli i Majlinda Kelmendit (djathtas) me italianen Odette Giuffrida

Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e parë të artë në histori në Olimpiadën në Rio-de-Zhanejro, duke e vënë Kosovën në hartën sportive botërore dhe duke dërguar mesazh të shpresës për brezin e ri të saj, raporton agjencia AFP.

Sportistja kosovare, 25 vjeçare, me lot në sy e përjetoi fitoren kundër xhudistes italiane, Odette Giuffrida, me lëvizjen e ashtuquajtur “yuko”.

Menjëherë pas fitores ajo vrapoi në përqafim të simpatizuesve, që duke qëndruar në këmbë brohoritnin “Kosova, Kosova”.

“Gjithnjë kam dëshiruar t’i tregoj botës se Kosova nuk është vetëm vend që ka kaluar nëpër luftë”, tha Majlinda Kelmendi, e mbështjellur me flamurin e Kosovës, dhe ka shtuar se “kjo medalje do të thotë shumë, jo vetëm për sportin e Kosovës, por për gjithë Kosovën si shtet”.

Medaljen e artë asaj ia dorëzoi presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, raporton agjencia AFP.