Edicioni i 31-të i Lojërave Olimpike Verore nisi më 5 gusht në Rio Janeiro të Brazilit, por për disa sportistë do të jetë hera e parë që marrin pjesë. Kosova, e cila u bë anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar para më pak se 2 viteve, është anëtarja më e re që i shtohet familjes olimpike.
Majlinda Kelmendi, 25 vjeçare, kampione e dyfishtë botërore në xhudo, ishte bartëse e flamurit të Kosovës gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave. Ajo është në mesin e tetë sportistëve kosovarë që garojnë në Rio. Për të, e gjitha duket sikurse një ëndërr.
“Është një nderë i madh për mua sepse për herë të parë Kosova do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike dhe do të jem unë që do ta mbaj flamurin. E kam ëndërruar këtë gjë për një kohë të gjatë dhe më në fund kjo po ndodhë”, ka thënë Kelmendi për CNN.
Kur Kelmendi fitoi titullin e parë botëror në Rio në vitin 2013, ishte ky titulli i parë për Kosovën, e cila ishte pranuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos një vit më herët.
Por, kur ajo mbrojti titullin e saj në Rusi vitin e kaluar, Kelmendi mposhti jo vetëm konkurrentët e saj në garë. Përpara se ta mposhtte kundërshtaren e saj, fituesen franceze të medaljes olimpike, Priscilla Gneto, Kelmendi duhej të ‘luftonte’ edhe me autoritetet ruse.
Për shkak të përkrahjes së madhe të Rusisë ndaj Serbisë, Moska nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Për shkak të këtij fakti, ishte e paqartë deri në momentet e fundit nëse Kelmendit do t’i lejohej të garonte si kosovare. Për këtë pati negociata delikate. Vetëm pas intervenimit të presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, Kelmendit iu dha leja për të garuar me flamurin e shtetit të Kosovës.
Më 5 gusht, ajo bëri paradë me flamurin e Kosovës para gjithë botës. E pranuar nga më shumë se 110 shtete, Kosova ende nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë, vendi u bë anëtar i plotë i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor të vitit 2014.
“Kur u pranuam në KON, ishte gjëja më e mirë që po i ndodhte Kosovës. Jo vetëm për sportin, por edhe për vendin, sepse tani sportistët dhe të rinjtë mund të ëndërrojnë të jenë pjesë e Lojërave Olimpike dhe ata përfaqësojnë Kosovën”, ka thënë kampionia e xhudos në një intervistë për CNN.
Për sportistët e Kosovës, pranimi në KON ishte një lehtësim i madh. Katër vite më parë, shenjëtarja e Kosovës, Urata Rama, para katër viteve kishte folur për Radion Evropa e Lirë dhe për ëndrrën e saj olimpike. Në atë kohë, ajo dhe sportistë të tjerë kosovarë ende ndiheshin të izoluar nga komuniteti botëror i sportit.
Tani Rama mund të fokusohet në rezultatet e saj, e jo nëse ajo do të lejohet të garojë.
“Qetësia dhe koncentrimi janë shumë të rëndësishme për një shenjëtare”, ka thënë Rama për Radion Evropa e Lirë para pak ditësh. “Kur kam filluar të merren me këtë sport, nuk kam menduar se do të arrijë kaq shumë, sepse sukseset në këtë sport nuk vijnë shpejtë”, ka thënë ajo.
Your browser doesn’t support HTML5
Për disa të tjerë, kjo pritje ka qenë edhe më e gjatë.
Trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka, i përket një gjenerate të sportistëve që ëndrrat iu shkatërruan nga luftërat e viteve 90-të në Ballkan. Ai duhej të konkurronte për Jugosllavinë në Lojërat Olimpike në Barcelonë në vitin 1992, por Kosova (së cilës i ishte hequr autonomia nga Jugosllavia) e largoi nga lista e garuesve, për shkak të represionit të shqiptarëve nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Jugosllavisë i ishte ndaluar pjesëmarrja në Barcelonë, për shkak të sanksioneve të OKB-së ndaj saj për shkak të luftës në Bosnjë. Por, karriera e Kukës në atë kohë mori fund. Ai nuk kishte shumë që kishte mbushur 20 vjet.
Përderisa Kuka nuk arriti ta plotësonte ëndrrën e tij olimpike si garues, tani ai po e realizon atë si trajner. Më shumë se 20 vite pas zhgënjimit të Barcelonës, ai tani po shkon në Rio. Një tjetër xhudiste, pjesë e Ekipit Olimpik të Kosovës, Nora Gjakova, është pjesë e ekipit të tij.
Me skandalet e fundit të dopingut që po e shoqërojnë këtë edicion të Lojërave Olimpike, shpresa kryesore e Kosovës për një medalje, Majlinda Kelmendi, thotë se shpreson që ekipi kosovar do të ndihmojë në rikthimin e atmosferës që e karakterizon garën Olimpike.
“Ndihem shumë mirë që, ndoshta për një ose dy ditë, unë mund t’i gëzojë njerëzit e Kosovë dhe ndoshta do të harrojnë për pak se sa shumë probleme kemi në vend”, thotë ajo. (REL)