Obama: 400 milionë dollarët e paguar Iranit nuk ishin shpërblim për lirim pengjesh

Barack Obama, president i SHBA-ve

Presidenti amerikan, Barack Obama ka folur për kritikat ndaj administratës së tij për pagesën prej 400 milionë dollarëve për Iranin, për të sqaruar përfundimisht një problem ligjor, duke hedhur poshtë akuzat se shuma është dhënë si pagesë për lirimin e të burgosurve amerikanë nga Irani.

“Kjo nuk ka qenë ndonjë marrëveshje e poshtër”, iu ka thënë Obama reporterëve në Pentagon më 4 gusht.

Ai ka thënë se kjo pagesë, krahas 1.3 miliardë dollarëve shtesë që do të paguhen më vonë, janë njoftuar publikisht në janar, një ditë pasi është arritur marrëveshja për programin bërthamor të Iranit.

“Nuk ka qenë sekret. Ne kemi qenë tërësisht të hapur për këtë”, ka thënë lideri amerikan.

Obama ka shtuar se i vetmi informacion i ri, që fillimisht është raportuar gjatë kësaj jave nga gazeta “The Wall Street Journal”, ka qenë se 400 milionë dollarët janë paguar si para në dorë. Ato i janë paguar Iranit të vendosura në paleta dërguar në Teheran përmes një aeroplani pa shenja.

“I vetmi lajm ka qenë se janë paguar para në dorë”, ka thënë ai.

“Arsyeja e vetme për këtë është se ne jemi aq strikt në përmbajtjen ndaj sanksioneve të mbetura, pasi nuk kemi asnjë marrëdhënie bankare me Iranin”, ka thënë më tej Obama.

Pagesa ka rikthyer dyshimet nga kritikët për marrëveshjen bërthamore me Iranin. Koha e dërgimit të parave ka rastisur me lirimin e katër amerikanëve të paraburgosur në Iran, si dhe me implementimin e marrëveshjes bërthamore, duke nxitur akuza se marrëveshja për paratë ka qenë pagesë në formë “shpërblimi”.

“Ne nuk paguajmë shpërblime për pengje”, ka thënë Obama duke cituar politikën afatgjate amerikane për të mos paguar nga frika e nxitjes së pengmarrjes. “Ne nuk kemi vepruar tash kështu e as nuk do të veprojmë në këtë formë në të ardhmen”.

Pagesa është bërë në bazë të një pretendimi nga Irani të deponuar në një tribunal ndërkombëtar më 1981 për rimbursimin e 400 milionë dollarëve, pagesë e bërë nga Shahu i Ranit për të blerë pajisje ushtarake më 1970. Pajisjet asnjëherë nuk janë dërguar për shkak të revolucionit islamik në vitin 1979 që e ka hequr nga pushteti Shahun.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ata janë të shqetësuar se Tribunali i Hagës mund të urdhërojë SHBA-të të paguajnë disa miliarda në interese si pjesë të një vendimi të detyrueshëm dhe për këtë arsye pagesa e kryer në janar ka pasur kuptim të bëhet.

“Ka qenë vlerësim i avokatëve tanë se ka rreziqe të mëdha për procese gjyqësore dhe ne mund të përfundonim duke humbur miliarda dollarë”, ka thënë Obama, duke shtuar se “këshilla ishte që ne ta mbyllnim këtë problem”. (REL)

Përgatiti: Artan Haraqija