Kryeprokurori i misionit të BE-së në Kosovë për sundimin e ligjit, EULEX, ka emëruar një prokuror përgjegjës për të vlerësuar përmbajtjen e telekomunikimeve të përgjuara në rastin e Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomunikacionit “me qëllim të përcaktimit të dyshimit të bazuar për inicimin e hetimit”.
Vlerësimi i përmbajtjes së telekomunikimeve të përgjuara duhet të përcaktojë “nëse pohimet e përmbajtura dallojnë nga ato për të cilat tashmë është marrë vendimi për ndërprerjen e hetimit”.
Vendimi që një prokuror të fillojë vlerësimin u bë publik pas një takimi që kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi zhvilloi me kryeprokurorin e EULEX-it, Claudio Pala.
Në një kumtesë pas takimit thuhet se raporti ndërkombëtar do t’i dorëzohet kryeprokurorit të Kosovës i cili varësisht nga niveli i vlerësimit dhe “nëse nuk është bërë hetimi i telekomunikimeve” do ta krijojë një ekip të prokurorëve “të cilët do të verifikojnë dhe analizojnë përmbajtjen e telekomunikimeve” për të përcaktuar nëse “ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale, të kryera nga subjektet e përgjuara, të cilat mund të ndiqen penalisht”.
Vendimi erdhi vetëm një ditë pasi kryeprokurori i shtetit njoftoi publikisht se nuk do të fillojë hetime lidhur me bisedat e përgjuara telefonike të shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, me zyrtarë të ndryshëm të kësaj partie, përfshirë edhe ish-kryetarin e saj, Hashim Thaçi, dhe kryetarin aktual, Kadri Veseli.
Bisedat e përgjuara të shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, u publikuan pak ditë më parë nga gazeta në internet, Insajderi.com, dhe në bazë të tyre zyrtarë të lartë të partisë, sipas gazetës, shfaqin ndikimin e ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.
Gazeta pohon se ka mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike, të nxjerra me vendim gjykate, gjatë fundvitit 2011, dhe ato u rishfaqën sërish pas gati pesë vjetësh.
Për rihapje të hetimit, ka thënë Lumezi, duhen prova të reja, të cilat nuk kanë qenë objekt vlerësimi nga prokurori ndërkombëtar.
Por në komunikimin e ditës së enjte, pas takimit me kryeprokurorin e EULEX-it, Lumezi ka thënë se “nëse do të gjenden elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, të cilat do të mund të ndiqen penalisht, prokuroria do t’i filloj hetimet për ato vepra penale, pavarësisht se nga kush mund të jenë kryer”.
Përgjimet e bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë të PDK-së kanë qenë objekt i shqyrtimit ndërkombëtar, të prokurorit të EULEX-it, në rastin e ish-Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, në vitin 2011.