Opozita: Qeveria po thellon krizën - Qeveria: Edhe arbitrazhi mundësi

Ilustrim

Dërgimi në Kuvend i projekt ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi do të mund të përshkallëzojë gjendjen në Kosovë, kanë paralajmëruar zyrtarë të partive politike në opozitë.

Pak kohë pasi qeveria e miratoi projekt ligjin dhe të njëjtin e nisi në Kuvendin e Kosovës për votim, Lëvizja Vetëvendosje organizoi një protestë përpara ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në kundërshtim të marrëveshjes.

Your browser doesn’t support HTML5

LVV proteston kundër demarkacionit

Organizatorët e protestës qëndruan përpara Kuvendit, deri sa u siguruan se projekt-ligji për demarkacionin nuk do të jetë në rend dite. Ata theksuan po ashtu se nuk heqin dorë nga kundërshtimi i këtij procesi.

Nënkryetar i LVV-së, Dardan Sejdiu, deri sa po mbahej protesta u tha dhjetëra protestuesve se demarkacioni i kufirit “mund të bëhet me një komision i cili mbron interesat e Republikës së Kosovës”.

“Demarkimin edhe mund ta bëjmë, por demarkim i cili është shkencor, që bazohet në interesat e Republikës së Kosovës, bazohet në hartat ligjore e legjitime”, tha Sejdiu.

Protestës së Lëvizjes Vetëvendosje nuk iu bashkuan të enjten edhe dy partitë e tjera opozitare që e kanë kundërshtuar me forcë dhe përdorim të gazit lotsjellës marrëveshjen për demarkacion. Por, zyrtarët e AAK-së në opozitë paralajmëruan kundërshtime edhe më të forta në rast se do të votohet për projektligjin e qeverisë, të dërguar në Kuvend.

Pal Lekaj, nënkryetar i AAK-së, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se me veprimet e saj, qeveria po krijon huti dhe po e thellon krizën politike në vend.

"Çdo ratifikim i kësaj marrëveshjeje, mendoj që, do ta thellojë krizën institucionale politike dhe qytetarët do të revoltohen dhe do të eskalojë situata", tha Lekaj.

Ai tha se AAK ka besim tek të gjithë deputetët e Kuvendit se nuk do ta votojnë marrëveshjen aktuale për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe për këtë arsye edhe nuk i janë bashkuar protestës.

"Nëse ndodh e kundërta, situata do të eskalojë nga vetë qytetaret", tha Lekaj.

Qeveria e Kosovës mori të enjten në mëngjes vendimin për nisjen në Kuvend të projekt-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, vetëm pak orë pasi u përmbyll një debat në tryezën shkencore-profesionale të Kuvendit të Kosovës, me pjesëmarrjen e deputetëve, ekspertëve, Komisionit Shtetëror, udhëheqësve të institucioneve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Tryeza sërish shpërfaqi konfrontimet ndërmjet pushtetit dhe opozitës, që vazhduan të këmbëngulin në qëndrimet e tyre skajshmërisht të kundërta.

Në fund të debatit, ndërkaq, 24 deputetë që kanë kërkuar organizimin e tij, kanë sjellë përfundimet se Komisioni shtetëror ka bërë disa lëshime gjatë procesit në një segment dhe prandaj kanë kërkuar “rishikimin e sërishëm të procesit, duke kërkuar nga miqtë ndërkombëtarë që të ndërmjetësojnë ndërmjet dy shteteve rreth cështjeve kontestuese”.

Por, vendimi i Qeverisë për dërgimin e Marrëveshjes për Demarkacion në Kuvend pritet të zyrtarizohet nga Kryesia e ligjvënësve, duke përcaktuar një datë për votimin e dokumentit, me shumë gjasa brenda javës së ardhshme.

Në arsyetimin e projekt ligjit në mbledhjen e qeverisë, ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, tha se ai ka tri shtylla kryesore, filluar me “ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion dhe me çështjet e tjerat ligjore”.

Hoxhaj tha se projektligji që dërgohet në Kuvend përmban edhe pjesë ku thuhet se:

“Nëse ka fakte të reja ligjore, mund të ndryshohen dhe plotësohen me pëlqimin e palëve… Me pajtimin e palëve për ndryshimin e dispozitave të Marrëveshjes, mund të kërkohet edhe arbitrazh ndërkombëtar”, arsyetoi ministri Hoxhaj projektligjin për demarkacionin.

Hapi i qeverisë nxiti reagimet e opozitës edhe brenda sallës së Kuvendit, përveç protestës përpara ndërtesës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kohën kur po zhvillohej protesta jashtë ndërtesës së Kuvendit, tha se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi është “kapitullim i Kosovës”.

"Kjo marrëveshje e Thaçit edhe Hysenit me homologet e tyre malazezë është marrëveshje e kapitullimit pas një lufte të humbur ku ne jemi palë e mundur. Kjo marrëveshje është marrëveshje e kapitullimit... nuk mund të shkruhet, lexohet, kuptohet e përjetohet ndryshe", tha Kurti.

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi ngjalli për muaj të tërë reagime të fuqishme të opozitës, e cila bllokoi punimet e kuvendit duke përdorur edhe gazin lotsjellës.

Bashkësia ndërkombëtare u bëri thirrje palëve që të gjejnë kompromisin duke ratifikuar marrëveshjen e arritur, në interes të, siç tha, shtetit.

Së fundi demarkacioni u vendos si kusht për Kosovën në hapjen e procesit të liberalizimit të vizave dhe institucionet evropiane thanë se po presin ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës për të hapur mundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve nga Kosova. (REL)