Qeveria e Kosovës do të procedojë me marrëveshjen aktuale të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, është thënë sot në mbledhjen e Qeverisë, gjatë së cilës është miratuar projekt-ligji mbi këtë marrëveshje.
Qeveria beson se pasi ka dëgjuar të gjitha argumentet është verifikuar se marrëveshja aktuale e shënimit të kufirit me Malin e Zi është bërë sipas akteve ligjore të Kosovës.
I mbetet tani Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të caktojë datën për të mbajtur seancën mbi ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Partitë politike në opozitë janë shprehur kundër saj dhe kanë bërë thirrje që ratifikimi i marrëveshjes të kundërshtohet përmes protestave.
Ndryshe, mbledhja e sotme e qeverisë pason debatin prej mbi 12 orësh të mbajtur të mërkurën në Prishtinë mbi këtë çështje, i cili debat vetëm sa konfirmoi qëndrimet e palëkundura të qeverisë në njërën anë, dhe opozitës në anën tjetër.