Zbatimi i ligjeve përcakton kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni, konsiderojnë se miratimi i pesë ligjeve që burojnë nga marrëveshja e 20 korrikut, mes katër forcave politike, i hap rrugë organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Por, sipas tyre përcaktimi i datës së organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të varet nga dinamika e zbatimit të këtyre ligjeve.

Ndryshe deputetët e Maqedonisë të enjten në mbrëmje votuan me procedurë të shpejtuar Ligjin për Mandatin e Qeverisë së Maqedonisë, Ligjin për media, Ligjin për procedurë penale dhe Kodin Zgjedhor.

Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë thotë se kësaj radhe partitë politike do t'i përmbahen marrëveshjes së arritur.

“Varësisht nga ajo sa do të arrihet të jetësohen në praktikë ligjet që i hapin rrugë mbajtjes së zgjedhjeve konform marrëveshjes për të cilën arritën forcat politike në Maqedoni do të varet dhe ajo se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen këtë vit ose do të mbetet për në pranverën e vitit të ardhshëm ku duhet dhe të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale".

"Besoj se gjasat janë reale që ajo për të cilën kanë arritur ujdi partitë politike pavarësisht ngadilemat që u paraqitën rreth marrëveshjes, gjasat janë reale që këto ligje të zbatohen në praktikë dhe në takimin e 31 gushtit kur duhet të takohen liderët e katër partive kryesore të kontestohet se kushtet për organizimin e zgjedhje janë plotësuar dhe të fillohet me procesin që i paraprin caktimit të datës së zgjedhjeve”, vlerëson Albert Musliu

Ndërkohë sa u përket ligjeve të cilave u dha dritë jeshile Parlamenti i Maqedonisë, më skeptik është Temelko Ristevski ligjërues i shkencave politike në Universitetin Ballkanik të Shkupit.

Ristevski thotë se këto ligje vështirë do të zbatohen në praktikë.

“Unë jam skeptik se këto ligje të cilat morën vizë nga Parlamenti dhe janë një urë kaluese për tu organizuar zgjedhjet do të arrijnë të jetësohen. Problemi qëndron në atë se në Maqedoni nuk ekziston përgjegjësi politike dhe institucionale që ajo që është miratuarsi ligj dhe për të cilën partitë kanë vënë firmën e tyre që të jetësohet në një afat të caktuar të respektohet".

"Pra, është instaluar si praktikë që nëse ligjet janë në interes të forcave politike veçanërisht atyre në pushtet ligjet arrijnë të zbatohen në praktikë në përpikmëri, por nëse ato janë në kundërshtim me interesat e partive e theksoj veçanërisht atyre në pushtet ligjet vështirë gjejnë zbatim në praktikë”, konsideron Temellko Ristevski.

Njohësit e çështjeve politike thonë se pika më e nxehtë do të jetë jetësimi i ligjit për punë të brendshme ngase ka lidhshmëri të ngushtë me organizimin e zgjedhjeve.

Për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të duhet të vendosin drejtuesit e katër partive politike në takimin i cili në bazë të marrëveshjes duhet ta kenë më 31 gusht.