Turqi: Fletarreste për 47 gazetarë pas puçit të dështuar

Ilustrim

Në Turqi janë dhënë fletarrestet për 47 gazetarë, në goditjen më të re kundër mediave, pas puçit të dështuar ushtarak, kanë raportuar sot mediat turke.

Këta gazetarë punojnë për gazetën Zaman, për të cilën autoritetet kanë dyshime se është e lidhur me klerikun, Fetullah Gulen, që jeton në Shtetet e Bashkuara.

Ankaraja e fajëson zotin Gulen se ka dorë në përpjekjen për grushtshtet të dështuar më 15 korrik.

Në fillim të kësaj jave, janë lëshuar fletarrestet për 42 gazetarë të tjerë.

Ankaraja, edhe para puçit, është kritikuar gjërësisht për kufizime të lirive të shtypit.

Pas grushtshtetit të dështuar, që synonte përmbysjen e presidentit, Recep Tayyip Erdogan, në Turqi janë arrestuar, shkarkuar, ose janë nën hetime, më se 60 mijë ushtarë, policë, gjyqtarë, mësimdhënës, shërbyes civilë dhe të tjerë.

Autoritetet turke thonë se gjatë puçit janë vrarë 290 vetë.