Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i tha Radios Evropa e Lirë se nota verbale e Ambasadës turke në Prishtinë “është e pazakontë dhe e papranueshme dhe njëkohësisht një mbireagim i saj”. Ai tha se “nota verbale turke është tejkalim i linjave verbale”
Ministri Hoxhaj tha se Kosova respekton lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe të mendimit dhe e cilësoi shkrimin e gazetarit Berat Buzhala “me përmbajtje sarkastike dhe pa qëllime politike”.
Ministri i jashtëm i Kosovës tha se Kosova është “një shtet i ri, i vogël që megjithatë ka nevojë që ta ruajë prestigjin, krenarinë dhe kredibilitetin ndërkombëtar, t’i mbrojë interesat e qytetarëve të saj po aq sa edhe t’i ruaj raportet e mira me vendet mike”.
Ministri Hoxhaj dha këto vlerësime pas kërkesës zyrtare të Ambasadës së Turqisë në Prishtinë drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për të ndëshkuar me burg një gazetar nga Kosova, Berat Buzhala, për shkak të komenteve të tij thumbuese të bëra në rrjetin social Facebook.
Radio Evropa e Lirë: Ministër Hoxhaj një notë verbale e Ambasadës turke në Prishtinë me kërkesë të drejtpërdrejt për ndëshkim të një gazetari të Kosovës për një shkrim të tij në rrjetin social facebook ka ngjallur reagime të forta në Kosovë. Cili është qëndrimi juaj për këtë notë verbale?
Enver Hoxhaj: Sipas mendimit tim ka qenë një mbireagim i Ambasadës turke në Prishtinë dhe në pikëpamjen time, politika e jashtme e një vendi nuk është asgjë tjetër veçse një zgjatje dhe zgjerim i politikës së brendshme. Sistemi ynë kushtetues, sistemi ynë politik dhe kultura jonë politike, si dhe përpjekja jonë euro-atlantike flasin për atë që ne e respektojmë lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit dhe në këtë drejtim e kam kuptuar edhe reagimin zotit Buzhala i cili ka qenë më shumë me përmbajtje si sarkazmë se sa si një qëllim politik.
Radio Evropa e Lirë: A do të ketë përgjigje të drejtpërdrejt nga MPJ për Ambasadën turke meqë ju është drejtuar me notë verbale?
Enver Hoxhaj: Ne do të kemi komunikime gjatë ditëve të ardhshme me Ambasadën turke. Unë kam arritur dje (e marte) që të bisedoj me ambasadoren dhe qëndrimi ynë është se as Qeveria e Republikës së Kosovës dhe as dikush tjetër nuk mund të ndërhyjnë në gjyqësor dhe në çështjet e gjyqësisë. Ne jemi vend demokratik. I tejkalojnë kompetencat e të tjerëve, dhe është një fushë e demarkuar se çfarë bën gjyqësori dhe çfarë bëjnë të tjerët. Sa i takon notës verbale dhe situatës së fundit të krijuar më lejoni të jem i qartë: ne nuk dëshirojmë të përfshihemi në çështje të të tjerëve, në çështjet të cilat mund të prodhojnë keqkuptime emocionale por në të njëjtën kohë ne presim respekt reciprok dhe të ndërsjellë të vendeve mike në raport me Kosovën. Shteti ynë është një shtet i ri i vogël, por edhe shtetet e vogla kanë nevojë që ta ruajnë prestigjin, krenarinë dhe kredibilitetin ndërkombëtar, t’i mbrojnë interesat e qytetarëve të tyre. Por njëkohësisht edhe t’i ruajnë raportet e mira me vendet mike. Këto janë parametrat se si ne si politikë e jashtme e shohim rastin në fjalë. Ky nuk është rasti i vetëm dhe as i pari, meqë në të kaluarën ka pasur keqkuptime të tilla që janë tejkaluar.
Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se është mbireagim i Ambasadës turke dhe notë verbale e pazakontë?
Enver Hoxhaj: Pa dyshim se ky është një mbireagim nga ana e Ambasadës turke në Prishtinë dhe është një notë e pazakontë verbale. Raportet tona me Turqinë janë miqësore. Ne i jemi mirënjohës Turqisë për mbështetjen e madhe që i ka dhënë shtetit të Kosovës. Por nota verbale si e tillë për ne është e papranueshme dhe besoj se ky keqkuptim do të tejkalohet.
Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se është keqkuptim, por në fakt a është ky një lloj komunikimi normal me notë verbale i Ambasadës turke, me të cilën kërkohet dënimi i një shtetasi të huaj, apo është një urdhëresë që tejkalon respektet diplomatike?
Enver Hoxhaj: Natyrisht nuk është një notë verbale e zakontë, meqë ne marrim nota verbale, kemi komunikim diplomatik ditor me shtete të ndryshme, por edhe me Turqinë, për çështje të ndryshme. Kur në një notë verbale konstatohet emri dhe mbiemri i dikujt dhe kërkohet veprimi, natyrisht se tejkalon mandatin e linjave verbale si të tillë. Por nuk është hera e parë. Ju kujtohet në vitin 2012 në një konferencë shtypi së bashku me ish-ministrin e jashtëm turk zotin Davutoglu ai kërkoi në prani të mediave që të ndodh rishikimi i teksteve të historisë dhe në atë kohë përgjigja ime ka qenë ‘tekstet i historisë i shkrujanë historianët dhe jo politika dhe politikanët”. Do të thotë në komunikimin ndërkombëtar shpeshherë ka keqkuptime të tilla, por sikurse i kemi tekjkaluar në të kaluarën besoj se do të mbyllet edhe ky rast.
Radio Evropa e Lirë: Do të përmbyllet me kërkim falje apo me dicka më shumë?
Ministri Hoxhaj: Unë jam njëri nga akterët që drejton politikën e jashtme të Kosovës. Aktualisht nuk jam në Prishtinë. Do të duhej të konsultohem edhe me vendimarrësit e tjerë të politikës së jashtme të Kosovës. Por dje ka pasur një komunikim me ambasadoren turke dhe besoj se gjatë këtyre ditëve diplomatët tanë nga Ministria e Jashtme do të komunikojnë dhe do ta tejkalojmë rastin si të tillë.