Kremlini ka hedhur poshtë akuzat se Rusia qëndron prapa sulmit kibernetik në kompjuterat e Komitetit Kombëtar të Demokratëve duke i quajtur akuzat si absurde.
“Ky lajm absurd është hedhur poshtë menjëherë nga familja e një kandidati të njohur potencial” ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve më 26 korrik, duke iu referuar Donald Trump Jr, djalit të madh të kandidatit republikan për president, Donald Trump.
Peskov gjithashtu është tallur me referimet që i bëhen Rusisë gjatë fushatës zgjedhore presidenciale në SHBA.
“Ne ende po shohim përpjekje për përdorim të tepruar të Rusisë si temë gjatë fushatës zgjedhore amerikane”, ka thënë ai.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka thënë gjatë ditës se ai e ka ngritur si temë diskutimi akuzën e demokratëve se persona që kanë lidhje me shtetin rus kanë vjedhur komunikimet e brendshme partiake, gjatë takimit me homologun rus, Sergei Lavrov.
Lavrov ka hedhur poshtë akuzat nga ekipi i kandidates së mundshme demokrate, Hillary Clinton që ka thënë se Rusia qëndron prapa rrjedhjes në media të këtyre emailave.
Këshilltarët e Clintonit e kanë akuzuar Rusinë për zbulimin e emailave, përmbajtja e të cilave ka zemëruar përkrahësit e Senatorit Bernie Sanders, duke thënë se kjo është bërë me qëllim që të ndihmohet rivali i Clinton, Donald Trump.
Lavrov ka thënë se përgjigja e drejt ndaj këtyre akuzave do të duhej të përfshinte edhe gjuhë vulgare.
Edhe Trump e ka hedhur poshtë këtë pretendim duke thënë se “është një nga teoritë më të çuditshme të konspiracionit”.