Sanders ofron përkrahje të zjarrtë për Clinton

Senatori Bernie Sanders i ka ofruar përkrahje me plotë pasion rivales së dikurshme partiake, Hillary Clinton më 25 korrik duke folur në ditën e parë të Konventes Kombëtare të Partisë Demokrate.

Ai ka thënë se “Hillary Clinton duhet patjetër të bëhet presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara”.

Sanders është munduar që të ruaj përkrahjen edhe të votuesve të tij për Clinton e cila më 8 nëntor do të përballet me kandidatin e republikanëve, Donald Trump.

“Hillary Clinton do të jetë një president i jashtëzakonshëm dhe jam krenar që e përkrah sonte atë”, iu ka thënë Sanders 5 mijë delegatëve të partisë në Filadelfia, ku liderët demokratë janë munduar të shfaqin unitet kundër Trumpit.

Uniteti megjithatë është dukur i lëkundur gjatë natës kur nga pjesëmarrësit dëgjoheshin fishkëllima, që sipas të gjitha gjasave bëheshin nga përkrahësit e Sanders.

Tensionet janë shfaqur menjëherë pasi konventa katër ditore është hapur zyrtarisht e cila në fund të saj do e nominojë për herë të parë në histori të politikës amerikane një grua për president të SHBA-ve.

Përmendja e emrit të Clinton është pritur me shumë duartrokitje nga përkrahësit e saj, derisa përkrahësit e Sanders kanë thirrur emrin e senatorit të Vermontit, “Bernie, Bernie”.

“Ne të gjithë jemi demokratë dhe si të tillë duhet të sillemi” ka thënë se udhëheqësja e koventës, Marcia Fudge nga Ohio.

74 vjeçari Sanders, një rival i fuqishëm i Clinton gjatë fushatës brenda partiake për të arritur nominimin ka arritur të sigurojë jo pak përkrahës besnik duke u zotuar kundër rolit të parave në politikë dhe duke e bërë sigurimin shëndetësor dhe arsimimin e lartë më të qasshëm.

Zemërimi i pëkrahësve të Sanders ka të bëjë me shpërndarjen e emailave të partisë nga faqja e internetit, “Ëikileaks” ku tregohej se si zyrtarët e lartë të partisë që duhet të mbajnë qëndrim neutral gjatë fushatës partiake, e kanë favorizuar Clinton.

“Wikileaks” ka publikuar mbi 19 mijë mesazhe elektronike më 22 korrik, duke e detyruar kështu Udhëheqësen e Konventës Kombëtare të Demokratëve, Debbie Wasserman Schultz të ofrojë dorëheqjen ndërsa Konventa i ka kërkuar falje Sandersit.

Sanders në anën tjetër iu ka kërkuar përkrahësve që të mos e pengojnë Konventen duke mos përmendur fare mbrëmë skandalin me rrjedhjen e komunikimeve të brendshme partiake.

“Këto zgjedhje kanë të bëjnë me atë se cili kandidat kupton problemet reale me të cilat përballet ky shtet dhe që kandidati ka ofruar zgjidhje reale, jo thjeshtë ide që nxisin frikën apo që ofendojnë të tjerët dhe thellojnë ndarjet”, iu ka thënë Sanders pjesëmarrësve.

Policia në Filadelfia ndërkohë ka paraburgosur mbi 50 persona që tentonin t’i hiqnin barrikadat përballë sallës ku do të mbahej konventa duke e shprehur zemërimin e tyre kështu rreth mënyrës se si partia e ka trajtuar Sanders.

Pretendimet për ndërhyrjet ruse

Përgjatë fushatës së brendshme partiake, Sanders dhe përkrahësit e tij janë ankuar se partia e favorizonte Clintonin, akuza këto që fituan substancë pas publikimit të mijëra komunikimeve të brendshme partiake nga “Ëikileaks”.

Emailat e publikuara tregojnë se si zyrtarë të partisë janë munduar të minojnë fushatën e Sandersa duke nxitur pyetje për prejardhjen e tij hebreje dhe nëse ai është ateist?

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka thënë më 25 korrik se është duke e hetuar “ndërhyrjen kibernetike” nga “hackerë” në lidhje me rrjedhjen e emailave, që sipas fushatës së Clinton është kryer nga individë që kanë lidhje me shtetin rus.

Fushata e Clinton ka thënë se rrjedhja mund ta ketë qëllim që ta ndihmojë Trumpin i cili është zotuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën nëse zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë. Trump gjithashtu ka hedhur dyshim nëse do të përkrahte aleatët e NATO-s në Baltik nëse ato do të okupoheshin nga Rusia.

Kampi i Trump i ka përqeshur akuzat që thonë se Rusia mundohet ta ndimojë atë duke i vjedhur komunikimet e demokratëve.

Trump, një biznismen i pasur është përballur me kritika të ashpra nga demokratët dhe disa prej republikanëve për komente që janë konsideruar ksenofobike, seksiste dhe raciste.

Në së paku një sondazh të publikuar të hënën ai ka dal para Clinton me përkrahje, hera e parë kjo prejse ka nisur fushata për zgjedhjet presidenciale.

Trump sipas sondazhit të CNN-së, do të fitonte 48 % të votave, ndërsa Clinton do të siguronte 45 %.

Trump, i cili asnjëherë nuk ka pasur post udhëheqës në administratën publike ka thënë se Sanders është viktimë e një sistemi manipulues që favorizonte Clinton. Më 25 korrik ai e akuzoi Sanders se i është nënshtruar Clintonit.

“Bernie Sanders iu nënshtrua në tërësi Hillary Clintonit mashtruese”, ka shkruar Trump në profilin e tij në “Tëitter”, pak para se Sanders të përfundonte fjalimin e tij në konventën e demokratëve.

“E gjithë ajo punë, energji dhe para dhe të mos kesh asgjë për të treguar! Humbje kohe”, ka shtuar Trump.

Sanders ka folur pak pasi në podium është ngjitur Zonja e Parë amerikane, Michelle Obama e cila i tha turmës së Clinton është e vetmja kandidate e përgatitur për tu bërë president.

Ajo e ka lavdëruar ish Sekretaren e Shtetit si e vetmja që “unë e besoj se është vërtetë e kualifikuar për tu bërë presidente e Shteteve të Bashkuara” derisa e ka dënuar “gjuhën e urrejtjes” që e ka përdorur Trump.

“Kur dikush është mizor apo sillet si dikush që kërcënon e rrah të tjerët, ne nuk bijmë në nivelin e tyre”, ka thënë Zonja e Parë amerikane.

Përgatiti: Artan Haraçia