Nga aksidentet në komunikacion, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti kanë humbur jetën 46 persona. Këto janë të dhënat e fundit që posedojnë autoritetet e rendit.
Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se referuar në një analizë që e kanë bërë autoritetet e rendit, në gjashtë muajt e fundit shqetësuese mbetet fakti që aksidentet me pasoja fatale kanë ngritje prej 4.17 për qind për këtë periudhë 6 mujore.
"Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit dhe shpejtësia, llogariten ndër faktorët kryesor që kanë rritur numrin e aksidenteve", thotë Kelani.
“Arsyet e aksidenteve janë të ndryshme duke përfshirë mosrespektimin e ligjit për komunikacionin rrugor. Si faktorë kryesor është faktori njeri, por faktorët kontribues janë tejkalimi i shpejtësisë, mosvënia e rripit të sigurisë, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes e deri te infrastruktura rrugore’’, ka thënë Kelani.
Me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe shtimit të sigurisë në komunikacion, ai thotë se po zbatohet një plan policor i veçantë i cili ka të bëjë me përdorimin e veturave zyrtare pa shenja policore (vetura civile të policisë) me qellim të vëzhgimit të pjesëmarrësve në trafik dhe marrjen e masave ligjore ndaj shkelësve të ligjit.
“Po ashtu ne kemi zhvilluar një numër të madh të aktiviteteve në funksion të sensibilizimit të qytetarëve dhe vetëdijesimit të tyre. Kemi ndërmarr masat e nevojshme ligjore duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave aty ku pjesëmarrësit në komunikacion kanë rënë ndesh me Ligjin mbi sigurinë dhe komunikacionin rrugor’’, ka thënë Kelani.
Ndërkohë, ekspertë të komunikacionit, kanë identifikuar disa faktorë që ndikojnë në shtimin e numrit të aksidenteve. Muhamet Krasniqi, thotë se numri i aksidenteve në komunikacion rritet sidomos gjatë stinës së verës.
‘’Arsyet janë të shumta, por disa nga to janë edhe punimet në rrugë, aspektet teknike të automjeteve, temperaturat e larta gjithashtu ndikojnë në shpërqendrimin e situatës. Por, edhe ardhja e bashkatdhetarëve tonë e rrit numrin e veturave dhe e gjithë kjo ndikon në rritjen e numrit të pjesëmarrësve në komunikacion, gjë që mund të ndikojë edhe në uljen e sigurisë në rrugë”, thekson Krasniqi.
Ndryshe, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore dhe rregullat në komunikacion, në mënyrë që të krijojnë kushte më të sigurta për të gjithë pjesëmarrësit.