Një prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, tha të mërkurën se punimet në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, për hetimin e një varreze të mundshme, “po zhvillohen me urdhëresë të Prokurorisë Speciale”.
Blakaj tha se punimet do të vazhdojnë deri në përmbylljen e plotë të rastit, duke mos saktësuar afatin kohor të tyre.
“Dyshohet për disa koordinata”, tha Blakaj për punimet në disa pjesë të kampusit të Universitetit të Prishtinës, njëra nga të cilat në afërsi të Kishës brenda Kampusit.
Drejtuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, tha se gërmimet në terren janë përqëndruar në disa pika brenda Kampusit Universitar dhe në cfarëdo lloj gjetje që do të bëhen në ditët në vijim, do të vendoset për mënyrën e vazhdimit të punimeve.
Gjetaj tha se të gjitha palët kanë qenë të njoftuara me informacionet e dëshmitarëve dhe vlerësoi gatishmërinë e të gjitha palëve për të bashkëpunuar në zgjidhjen e problemeve.
“Besoj se ky bashkëpunim do të ndihmojë në shtensionimin e problemeve që lokacionet e dyshuara të mos politizohen", tha Gjetaj.
Sipas tij ka dyshime për një varrezë në kampus dhe pas përfundimit të gërmimeve do të mund të jepen informacione më të plota për rastin.
Ndërkohë, udhëheqësi i delegacionit nga Serbia, që po merr pjesë në procesin e gërmimeve në Kampusin e Universitetit të Prishitnës, Velko Odalloviq, tha se punimet në këtë vend meritojnë përkushtimin e të gjithëve me qëllim të, siç tha, ofrimit të përgjigjes për dyshimet për varrezë.
Ai tha se edhe Kisha Ortodokse Serbe ka dhënë pëlqimin e saj për fillimin e gërmimeve dhe vlerësoi se “politizime të rastit nuk ka dhe nuk do të mund të ketë”.
“Ajo që është me rëndësi është se edhe Kisha, në oborrin e së cilës po zhvillohen punimet, i ka mbështetur ato dhe ka dhënë pëlqimin që të bëhet gërmimi i lokacionit".
"Vlerësoj se është një qasje e përgjegjshme e të gjithë neve dhe shpresoj se brenda këtyre tri ditëve së bashku të japim përgjigje për pyetjet që na takojnë sipas mandatit që ne e kemi. Kjo është me rëndësi që ta bëjmë në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente për arsye se kjo është qendra e Prishitnës, një hapësirë e ndjeshme, informatë e ndjeshme dhe meriton piëkrisht atë që thash një qasje të veçantë për këtë problematikë”, tha Odalloviq.
Stojanoviq i cilëson ‘të politizuara’ gërmimet në kampusin e UP-së
Përfaqësuesi i familjarëve të personave të zhdukur, Bajram Qerkinaj, tha se punimet në këtë "varrezë të dyshuar po bëhen pas informacioneve të dëshmitarëve” dhe njëkohësisht theksoi se “për familjet e të zhdukurve, zbardhja e fatit të familjarëve të tyre është me rëndësi të madhe”.
“Unë si familjar jam i zhgënjyer, jam i prekur dhe i mërzitur sepse pas 17 vjetëve në Kosovë, në qendër të Prishtinës gërmohet. Nuk mund të thuhet se për sa viktima bëhet fjalë dhe kushdo që flet për numër gabon shumë. Dyshimet e dëshmitarëve duhet të shlyhen dhe a punohet sot apo edhe një javë nuk e dimë sakt”, tha Qerkinaj.
Gërmimet e filluara me mjete të rënda do të zgjasin fillimisht dy ditë dhe është paralajmëruar se nëse gjenden mbetjet mortore, atëherë do të vazhdohet me forma tjera të gërmimeve për t’iu përshtatur punimeve. (REL)