Ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairi O Connell i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që të organizojë debat publik për të sqaruar Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Pas një takimi që zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, ambasadori O’Connell ka preferuar debatin publik për Demarkacionin, si një çështje që aktualisht po e tensionon skenën politike në Kosovë.
“Kjo është një çështje bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi, ndonëse paraqet kusht edhe për liberalizimin e vizave”, ka thënë O’Connell. Sipas tij, qeveria e Kosovës mund të shqyrtojë opsionin e hapjes së një debati publik, siç ka thënë ai, për t’i “furnizuar qytetarët me fakte”.
Në kohën kur po përgatiten kundërshtime në Kuvend, por edhe në rrugë, ambasadori O’Connell kishte një porosi edhe për opozitën dhe mbështetësit e kundërshtimit të Demarkacionit, duke kërkuar maturi në veprimet e tyre.
“Mendoj që mund të ndihet shumë mirë një njeri që mendon se ai e mbron Republikën, e mbron tokën e Kosovës, por ju lutem, para se të vazhdoni në këtë drejtim, mendoni se çfarë ka ndodhur”, ka thënë ambasadori britanik.
Mesazhet e ambasadorit britanik, pasojnë porositë e ndihmësekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, të dielën në Prishtinë, e cila tha se Kosova do të duhej t'i bënte hapat e nevojshëm para vjeshtës dhe kështu të ruajë momentumin e zhvillimeve pozitive.
Ndërkohë, edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se aktualisht po diskutohet brenda institucioneve se kur do të procedohet në kuvend për miratim, Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Përderisa nga kabineti i kryeministrit Isa Mustafa kishte paralajmëruar që Marrëveshja e Demarkacionit t’i procedohet kuvendit gjatë kësaj jave, Hoxhaj i ka lënë të hapura të gjitha mundësitë, përfshi edhe vazhdimin e diskutimeve ndër – institucionale për kohën kur do të procedohet.
“Ne si qeveri jemi në një proces të konsultave të brendshme, ndërkaq është vendim i kryeministrit dhe qeverisë i cili e harmonizon agjendën me kryetarin e kuvendit se kur kjo çështje shkon në kuvend për shqyrtim dhe miratim”, ka thënë ministri i Jashtëm.
Vonesat për ratifikimin e Demarkacionit tashmë besohet se janë krijuar.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë se qeveria duhet të mos nxitohet, por të merr në shqyrtim propozimet për debate publike.
“Çdo nxitim është gabim. Për mendimin ne jemi vonuar tepër shumë për këtë çështje dhe për këtë vonesë fajin ia veshi opozitës. Megjithatë çdo veprim i ngutshëm pa i qartësuar të gjitha çështjet mendoj se nuk duhet të lejohet. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që kur të vijë kjo çështje në kuvend të mos kemi më dilema, por të marrim vendimin e drejtë”, ka thënë Grabovci.
Ai ka mbështetur debatet publike për Demarkacionin, duke përfshi aty jo vetëm akterët politik, por edhe shoqërinë civile.
Versioni aktual i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar në fund të muajit gusht të vitit të kaluar në Vjenë, po kundërshtohet ashpër nga opozita, por edhe nga disa deputetë brenda koalicionit qeverisës.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi pret që qeveria të procedoj pikërisht këtë javë për ratifikim në Kuvend, Marrëveshjen për Demarkacionin. Mirëpo ajo ka përsëritur se Vetëvendosje do ta kundërshtojë ratifikimin e kësaj marrëveshje.
“Ne do të jemi aty dhe me të gjitha format do të përpiqemi ta ndalim, ta pengojmë atë”, ka theksuar Kadaj-Bujupi.
Këtë javë, ishte paralajmëruar se Qeveria e Kosovës do të procedonte të mërkurën për ratifikim në kuvend Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi.
Por, gjërat tashmë besohet se kanë ndryshuar, ngaqë jo vetëm ambasadori britanik, por edhe partia më e madhe në kuvend, Partia Demokratike e Kosovës si dhen jë pjesë e shoqërisë civile, po preferojnë debatin publik në mënyrë që të ndikohet në uljen e tensioneve politike para se marrëveshja të procedohet për ratifikim në Kuvend.