Haindl në Shkup; partitë në përpjekje të re për zgjidhjen e krizës

I dërguari i qeverisë gjermane për krizën në Maqedoni, Johannes Haindl.

Partitë politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës do t'i rikthehen të enjten takimeve për daljen e vendit nga ngërçi politik në të cilin ndodhet Maqedonia.

Kjo u bë e ditur nga shefi i delegacionit të BE-së në Maqedoni, Aivo Orav pas takimit me të dërguarin e qeverisë gjermane për krizën në Maqedoni, Johannes Haindl.

“Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar po i koordinon shumë mirë të gjitha aktivitetet në vendin tuaj dhe shpresoj se vizita e sotme do të ketë një ndikim mbi zhvillimet e ardhshme të ngjarjeve."

"Javën e kaluar, unë dhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, dhamë një deklaratë përmes të cilës ftuam të gjitha palët që të bien dakord, sa më shpejt të jetë e mundur, për zbatimin e marrëveshjes së Përzhinës. Për fat të keq, sot nuk ka asgjë pozitive për të thënë dhe shpresoj se nesër do të ketë një takim ku do të marrin pjesë të 4 partitë, e ku do të shohim përparim”, ka deklaruar ambasadori Orav.

Me diplomatin gjerman janë takuar edhe liderët e partive politike, me përjashtim të Nikolla Gruevskit, i cili në takim me të dërguarin gjerman ka dërguar një delegacion të nivelit të ulët të VMRO-së. Nga të gjitha takimet, për mediat është prononcuar vetëm se kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili është shprehur pesimist për zgjidhjen e krizës.

“Nuk u pajtuam me një qëndrim me bashkësinë ndërkombëtare. Ata thonë se gjërat nuk po lëvizim para, ndërsa ne themi se gjërat, jo që nuk janë duke lëvizuar, por ne po fundosemi çdo ditë e më shumë. Nuk jam optimist se gjërat po lëvizim në drejtim pozitiv. Dëshmi për këtë janë edhe sanskionet dhe shkurtimet e fondeve të BE-së për Maqedoninë. Para nesh mbetet edhe një periudhë e shkurtër prej 7 deri 10 ditësh, kur do të dëshiroja të ketë përparim, por të them të drejtën nuk jam optimist”, ka deklaruar Thaçi, duke parë shpresën e fundit për zgjidhjen e krizën në vizitën e paralajmëruar të ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland.

Në fokus të bisedimeve me diplomatit gjerman dhe liderit të opozitës, Zoran Zaev, kanë qenë dy çështjet e pazgjidhura; reformat në media dhe pastrimi i listës zgjedhore.

Kreu i LSDM-së ka përsëritur kërkesën për mbylljen e këtyre çështjeve, si një nga kushtet kryesore për zgjedhje të lira. Ndërsa në takimin mes dërguarit të qeverisë gjermane për krizën në Maqedoni, Johannes Haindl me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, siç bëhet e ditur ka dominuar data e zgjedhjeve të ardhshme. Ahmeti ka kërkuar që data të caktohet vetëm pasi palët të merren vesh që të mos ketë shtyerje të re, siç ndodhi me dy datat e kaluara.

“Lideri i BDI-së Ahmeti theksoi që BDI është e interesuar që çështjet e mbetura të zgjidhen sa më shpejt dhe reformat të zbatohen në mënyrë që të organizohen zgjedhje gjithëpërfshirëse. Në takim kryesisht diskutuan rreth çështjeve të pastrimit të listës zgjedhore dhe mediave si parakushte për caktimin e ditës së zgjedhjeve të parakohëshme”, thuhet në njoftim me shkrim nga BDI-ja.

Diplomati gjerman të enjtën pritet të takohet me drejtuesit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë speciale.

Kriza politike në Maqedoni është përshkallëzuar në shkurt të vitit të kaluar, kur opozita nisi me publikimin e materalialeve të përgjuara telefonike të zyrtarëve, të cilët po hetohen nga Prokuroria speciale për shpëdorime të shumta dhe veprimtari të ndryshme kriminale. (REL)