Maqedonasit euro skeptikë – shqiptarët për anëtarësim në BE

Ilustrim

Udhëheqësi i Lëvizjes Popullore për Maqedoninë, Janko Baçev, dikur edhe pjesë e koalicionit të zgjeruar të VMRO DPMNE-së në pushtet, ka parashtruar në Parlamentin e Maqedonisë nismën për shpallje të referendumit për angazhimin e mëtejmë të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Baçev ka theksuar se orientimi i vendit që prej vitit 1991 ka qenë pro BE-së, “por përballja me kriza konstante ka krijuar pasqyrë të rrejshme se anëtarësimi në BE garanton sigurinë e vendit”.

Ai ka thënë se “në rast se Parlamenti i Maqedonisë nuk shpall referendum, atëherë me iniciativë vetanake, Lëvizja Popullore për Maqedoninë brenda 3 muajve të ardhshëm do të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për shpalljen e referendumit”.

Njohës të rrethanave politike në vend thonë se euro skepticizmi në Maqedoni në 9 vitet e fundit është rritur për më shumë se 25 për qind, si pasojë e politikave të gabuara të qeverisë gjatë dekadës së fundit.

Sipas tyre, 'Maqedonia nuk është në drejtimin e duhur edhe përkundër faktit se udhëheqësit e shtetit në vazhdimësi deklarohen se synim i Maqedonisë si shtet mbetet anëtarësimi i plotë në strukturat euroatlantike’.

Skepticizmi i qytetarëve të Maqedonisë është rritur edhe më shumë pas vendimit të Britanisë së Madhe për t`u larguar nga familja evropiane.

Çështja më shqetësuese për opinionin publik mbetet ndarja në baza etnike të procesit të integrimeve evropiane. Drejtori i Qendrës për Studime të Sigurisë në Maqedoni , Selim Ibrahimi, thotë se rritja e përqindjes së euro skepticizmit është e madhe tek qytetarët maqedonas, por kjo nuk ndodh me qytetarët shqiptarë. Sipas tij, kjo e thellon edhe më shumë ndasinë mes dy etniteteve më të mëdha në vend.

“Ky zhvillim paraqet një rrezik të madh për të ardhmen e vendit si tërësi dhe njëkohësisht paraqitet si pengesë thelbësore për anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike”, thekson Ibrahimi.

Në bazë të të dhënave të anketës së Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), të realizuar në prill të këtij viti, 71 për qind e qytetarëve të Maqedonisë mbështesin integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, ndërkohë që 23 për qind e qytetarëvejanë shprehur kundër.

Në vitin 2008, mbi 96 për qind e qytetarëve të Maqedonisë qenë shprehur se mbështesin integrimin Maqedonisë në BE dhe vetëm 3 për qind kanë qenë kundër.

Gjithashtu ka rënë dukshëm dhe mbështetja e Maqedonisë sa i përket anëtarësimit në NATO: para 9 vitesh mbi 92 për qind e qytetarëve ishin pro anëtarësimit të vendit në NATO, kurse tani 73 për qind janë shprehur pro dhe mbi 23 për qind kundër.

Për ish-ambasadorin Bllagoja Zashov, euro skepticizmi iniciohet nga strukturat udhëheqëse të qeverisë dhe struktura të afërta me pushtetin për të mbuluar, siç thotë, dështimin e vendit “në përmbushjen e kriterevetë përcaktuara për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian”.

“Bëhet fjalë për ikje nga përgjegjësia për dështimin e Maqedonisë që të anëtarësohet në strukturat euroatlantike gjatë qeverisjes 10 vjeçare të këtij pushteti. Në këtë mënyrë, duke rritur euroskepticizmin pushteti dëshiron të zhvendos vëmendjen e opinionit publik nga mosrealizimi i obligimeve përfshirë reformat dhe liria e shprehjes”, thotë Zashov. (REL)