Diplomati Haindl në përpjekje të re për zgjidhjen e krizës në Maqedoni

Johannes Haindl

I dërguari i posaçëm gjerman për Maqedoninë, Johannes Haindl, po qëndron në Shkup, në një përpjekje të re për zgjidhjen e krizës së thellë politike.

Ai në takime të veçanta do të takohet me liderët e katër partive politike nënshkruese të Marrëveshjes politike, ndërsa paraprakisht është takuar me ambasadorin e BE-së, Aivo Orav.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi paraprakisht ka shprehur besimin se pas takimeve me diplomatin gjerman dhe ndihmëssekretaren amerikane të shtetit, Victoria Nuland, do të ketë zgjidhje të mundshme për krizën politike.

Thaçi ka thënë se faktori ndërkombëtar duhet të jetë më i rreptë me politikanët, që sipas tij është edhe arsyjea për zvarritjen e krizës në vend.

“Përfaqësuesit ndërkombëtarë që po ndërmjetësojnë zgjidhjen e krizës, duhet të kenë qëndrim më të rreptë dhe të mos tolerojnë kërkesa dhe dëshira të ndryshme të partive politike. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet zgjidhje dhe t’i jepet fund krizës”, ka deklaruar Thaçi para gazetarëve.