Fajon shtyn për shtator votimin për viza për Kosovën

Tanja Fajon

Raportuesja e Parlamentit të Evropës për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ka marr vendimin për shtyrjen e votimit për vizat për Kosovën në Komitetin LIBE (Komiteti për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme) të PE-së, për datën 5 shtator, në vend të gjysmës së korrikut, siç ishte paraparë.

Vendimi për shtyrje, thotë Fajon në një kumtesë të saj, bëhet "për shkak të përparimit të mangët në përmbushjen e kriterit të fundit, veçanërisht të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi".

"Sinqerisht besoj se Parlamenti i Kosovës do ta ratifikojë këtë marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur dhe përpara pushimeve të verës, sepse kjo do të ma mundësojë procedimin e votimit në vjeshtë dhe të sigurojë mbështetjen e plotë të Komitetit përgjegjës për rekomandimin tim për heqjen e vizave", thotë Fajon në një kumtesë të saj.

Raportuesja e PE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën thotë se "topi tani ndodhet në fushën e Parlamentit të Kosovës" dhe se shpreson fuqishëm se me ratifikimin e marrëveshjes së kufirit "Parlamenti Evropian do të ketë mundësi që të veprojë në mbështetje të lëvizjes së lirë pa viza deri në fund të këtij viti".

"Kjo do të ishte lëvizje jetike për të gjithë qytetarët e Kosovës, që ndodhen ende prapa kufijve të mbyllur. E kuptoj ndjeshmërinë e debatit në Parlament, por nuk kam sigurinë e plotë të qeverisë se ratifikimi do të bëhet në një afat të përcaktuar", thotë Fajon.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë "politikanëve përgjegjës të Kosovës që të bëjnë këtë hap përfundimtar dhe të hapin derën për lëvizjen pa viza.”

“Si raportuese do të bëj çdo gjë në mundësitë e mia për të siguruar një votim pozitiv në Parlamentin Evropian, sepse jam e bindur se Kosova e meriton heqjen e vizave", thotë Fajon.

Deklarata e Tanja Fajon, e bërë në margjinat e sesionit të fundit plenar të Parlamentit të Evropës, vjen pak ditë përpara se Komiteti LIBE të votonte për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të ishte hapi i parë drejt votimit në Parlament, e pastaj edhe në Këshillin Evropian.

Komisioni Evropian ka propozuar në muajin maj heqjen e vizave për Kosovën dhe Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Turqinë, por për shkak të mos përmbushjes së kritereve, asnjëra prej vendeve nuk ka arritur të hap kapitullin për heqjen e vizave. Komisioni Evropian, në rekomandimin e tij, ka vendosur kushtin për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, çështje kjo që ka përpalasur në Kuvendine Kosovës deputetët e opozitës me ata të partive në pushtet. Vjeshta mund të jetë fillimi i procesit për votim në institucionet evropiane, por mendohet se fundi i vitit mund ta gjej Kosovën me vendim për liberalizim të vizave, nëse kriteret e përcaktuara do të përmbushen. (REL)