Irak: Është rritur numri i të vrarëve nga IS-i në Bagdad

Pamje pas sulmit të sotëm në Karrada të Bagdadit

Policia irakiane thotë se së paku 119 vetë janë vrarë dhe afro 190 të tjerë janë plagosur, nga sulmi vetëvrasës, për të cilin përgjegjësinë e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik, në një qendër tregtare me shumë njerëz, në Bagdad.

Shpërthimi në pjesën qendrore Karrada, sot në orët e para të mëngjesit, u bë derisa qindra njerëz kishin dalur nëpër rrugë në përgatitje për përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Zyrtarët thanë se shumica e të vrarëve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë, ishin brenda qendrës tregtare dhe disa kishin vdekur nga zjarri dhe për shkak të zënies së frymës.

Sulmi në Karrada, që është lagje kryesisht e banuar me popullatë Shiite, është më vdekjeprurësi këtë vit në Irak.

Një bombë tjetër, ka eksploduar në pjesën veriore të Bagdadit, në hapësirën Shaab, duke i vrarë pesë njerëz.

Shtëpia e Bardhë i ka dënuar këto sulme me bomba, duke thënë se ato vetëm e forcojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ta luftuar Shtetin Islamik.

“Ne mbesim të bashkuar me popullin dhe qeverinë e Irakut në përpjekjet tona të kombinuara për ta shkatërruar ISIL-in”, thuhet në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.

Departamenti amerikan i shtetit i ka ngushëlluar familjet e viktimave të dy sulmeve dhe i ka dënuar aktet e dhunës ekstremiste.