BE e shqetësuar për situatën në Maqedoni

Ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav

“Bashkimi Evropian seriozisht është i shqetësuar me situatën në Maqedoni”.

Kështu i ka porositur politikanët në Maqedoni ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, duke shprehur qëndrimin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

“Ka kaluar më shumë se një muaj prej kur është thirrur përsëri Kuvendi i Maqedonisë dhe për fat të keq nuk kemi parë progres sa i përket zgjidhjes së ngërçit politik në vend", ka thënë ai.

"Bashkimi Evropian seriozisht është i shqetësuar për situatën në Maqedoni. Ne jemi të bashkuar në nevojën për ta mbajtur lidershipin në dialog të hapur. Partitë duhet të vazhdojnë në implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos, përfshirë krijimin e kushteve për zgjedhje të besueshme”, ka theksuar ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Aivo Orav.

Diplomati evropian gjtihashtu ka theksuar se faktori ndërkombëtar mbetet i shqetësuar për shkak të sfidave me të cilat në vazhdimësi përballet Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë.

Ambasadori Orav u bëri thirrje të gjithë faktorëve politik, partive politike, që të ndalojnë me obstruksionet dhe t’i japin mbështetje të fuqishme Prokurorisë Speciale gjatë realizimit të detyrës së saj të përcaktuar me ligj.

“Mbetemi të shqetësuar për shkak të problemeve me të cilat ballafaqohet Prokuroria Speciale gjatë realizimit të punës së saj. U bëjmë thirrje të gjitha organeve, veçanërisht të gjitha partive politike, të cilat ranë ujdi për themelimin e këtij institucioni, që të ndalojnë me obstruksione dhe t’i japin mbështetje të fuqishme Prokurorisë Speciale Publike".

"Njëherësh, të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet ky institucion duhet të zgjidhen me prioritet. Muajt e fundit sundimi i ligjit është ballafaquar me shumë sfida...kujtoj faljen e presidentit Ivanov. Sundimi i ligjit është bazamenti i një shoqërie të fortë demokratike, si dhe është çelës për implementimin e reformave të propozuara nga Komisioni Evropian”, ka theksuar për media ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, duke shprehur qëndrimin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, sipas të cilave Marrëveshja e Përzhinës mbetet rruga e vetme për daljen e vendit nga kriza politike.

Ndryshe, ditë më parë partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, u shpreh se do të mbështet iniciativën për formimin e një departamenti të veçantë, në kuadër të Gjykatës Penale në Shkup, i cili do të shqyrtojë enkas lëndët të cilat i heton Prokuroria Speciale Publike.

Njohësit e çështjeve politike qëndrimin e BDI-së e shohin si paralajmërim se themelimi i një departamenti të veçantë në Gjykatën Penale për lëndët e Prokurorisë Speciale, si dhe vazhdimi i mandatit të këtij institucioni, do të shtrohen së shpejti në tryezën e bisedimeve mes përfaqësuesve të katër partive politike, nëshkruese të marrëveshjes së Përzhinos.

Kjo marrëveshje, e arritur me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike, gjithashtu parasheh edhe dy çështje të tjera, siç është pastrimi i listës së votuesve dhe reformimi i medieve, si kusht për t'i hapur rrugë organzimit të zgjedhjeve të parakohshme, rrjedhimisht edhe zgjidhjen e krizës politike. (REL)