Një raport i ri i Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR) thekson se një numër prej 65.3 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre deri në fund të vitit 2015, krahasuar me 59.5 milionë një vit më parë.
Në raport thuhet se bazuar në numrin e përgjithshëm të popullatës së botës prej 7.4 miliardë, një në 113 njerëz në botë janë tani ose azil kërkues, të zhvendosur ose refugjatë – duke I vendosur ata në shkallën e rrezikut për të cilën UNHCR nuk njeh precedentë.
Mesatarisht 24 njerëz janë zhvendosur çdo minutë në çdo ditë të vitit të kaluar – ose 34.000 njerëz në ditë – prej 6 persona çdo minutë në vitin 2015. Zhvendosja globale është dyfishuar që nga viti 1997 dhe u rrit në 50 për qind që nga viti 2011 – kur filloi lufta në Siri.
Tri shtete kanë dhënë gjysmën e numrit të refugjatëve në botë: Siria me 4.9 milionë, Afganistani me 2.7 milionë dhe Somalia me 1.1 milionë, që bashkërisht llogariten në më shumë se gjysma e numrit të refugjatëve nën mandatin e UNHCR-së gjithandej botës. Kolumbia me 6.9 milionë, Siria me 6.6 milionë dhe Iraku me 4.4 milionë kanë numrin më të madh të njerëzve të zhvendosur brenda vendit.
Në shkallë botërore, Turqia është shteti me numrin më të madh të refugjatëve të strehuar, me rreth 2.5 milionë refugjatë. Me afërsisht një refugjat në pesë qytetarë, Libani ka strehuar më shumë refugjatë në krahasim me numrin e banorëve, se sa çdo vend tjetër.
Me 149.600 arritje në territorin e tij në vitin 2015, Federata Ruse ka strehuar numrin e dytë më të madh të refugjatëve të rinj të zhvendosur, të gjithë nga Ukraina dhe u është ofruar mbrojtje e përkohshme gjatë vitit 2015. Ukraina u bë një nga vendet me numrin më të madh të refugjatëve në vitin 2015, me 312.300 refugjatë dhe 800.000 të zhvendosur. (REL)