Britani: Vazhdoi fushata për dhe kundër daljes nga BE-ja

David Cameron

Kryeministri britanik, David Cameron, thotë se Mbretëria e Bashkuar ballafaqohet me “zgjidhje ekzistenciale” në referendumin për Bashkimin Evropian dhe se më “nuk do të ketë kthim prapa”.

Mëtutje në një artikull të sotëm në gazetën, Sunday Telegraph, zoti Cameron, i cili e udhëheq fushatën për mbetje në BE, ka tërhequr vërejtjen e rreziqeve nëse përkrahet vizioni i politikanit, Nigel Farage, i cili është për largim të Britanisë nga BE-ja.

Cameron ka shkruar se Farage do ta kthejë Britaninë “prapa” dhe se do të shkaktonte ndarje në vend të bashkimit.

Nga ana tjetër, politikani konservator, Boris Johnson, aktivist i zëshëm për largim nga BE-ja, i tha sot gazetës Sun se dalja nga BE-ja u ofron votuesve “njëherë në jetë” rast për ta ndryshuar jetën britanike.

Fushata ka vazhduar sot, pasi ishte pezulluar për shkak të vrasjes së ligjvënëses, Jo Cox, e cila ishte mbështetëse e mbetjes së Britanisë në BE.