Në Kosovë, përqindja e fëmijëve të moshës pesë deri në shtatëmbëdhjetë vjeç, të cilët janë të angazhuar në punë, rezulton të jetë 10.7 për qind,ndërkohë që 6.8 për qinde tyre punojnë në kushte të rrezikshme, janë këto të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, organizatë kjo që mbron të drejtat e fëmijëve, ka reaguar duke kërkuar nga institucionet relevante që të shtojnë kujdesin ndaj kësaj kategorie të shoqërisë.
Donjeta Kelmendi, drejtoreshë në KOMF, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kanë kërkuar si koalicion rreth krijimit të grantit specifik për shërbime sociale. Kjo ende nuk është realizuar, ndërsa është ende në diskutim.
“Shumica e fëmijëve që janë të përfshirë në punë të rënda, në një mënyrë, detyrohen të sillen si të rritur, duke mos pasur mundësi t’i gëzojnë të drejtat e tyre si fëmijë”.
“Fëmijët u ekspozohen një sërë rreziqeve për shëndetin, si dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijëve, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, e në disa raste mungesën e regjistrimit, mungesën e qasjes në arsim dhe mungesën e strehimit, duke e vënë veten përballë edhe rrezikut të shfrytëzimit seksual ose trafikimit”.
“KOMF konsideron që akoma nuk ka vullnet të mjaftueshëm institucional në nivel komunal në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve nga punët e rënda”, ka thënë Kelmendi.
Kosova ende nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Kelmendi thekson nevojën e miratimit të Ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, që pritet të miratohet nga Qeveria e Kosovës. Si përfaqësuese e organizatave për mbrojtjen e fëmijëve, ajo ka dërguar edhe rekomandimet te kryeministri i Kosovës, për përcaktimin e buxhetit për Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, si dhe krijimin e grantit specifik për shërbime sociale.
Në zyrën për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së kryeministrit, Habit Hajredini, i ka thënë muajin e kaluar Radios Evropa e Lirë se projektligji për mbrojtjen e fëmijëve, është finalizuar dhe pritet të miratohet.
Ndërkaq, se sa është vlera e këtij ligji, zoti Hajredini nuk jep ndonjë informacion të saktë.
“Projektligji për mbrojtjen e fëmijëve, nga aspekti profesional është përfunduar dhe janë kryer të gjitha procedurat në aspektin institucional dhe pritet që të miratohet në Qeverinë e Kosovës. Po mendoj që është një ligj mjaft i rëndësishëm, që do të rregullonte dhe mbronte të drejtat e fëmijëve në përgjithësi”.
“Sa i përket aspektit të buxhetit, ka qenë një sfidë shumë e madhe ndër vite. Mendoj që legjislacioni që tashmë është duke u finalizuar, ka një prioritet shumë të rëndësishëm, e që përfshin mbrojtjen e fëmijëve në përgjithësi”, ka thënë Hajredini.
E Donjeta Kelmendi ka shtuar se nga mungesa e planifikimit buxhetor për zbatimin e legjislacionit të aprovuar, e si pasojë dhe mungesa e shërbimeve apo alternativave, të cilat do t’i mbronin fëmijët nga përfshirja në punët e rënda, dhe të riintegrohen në arsim apo edhe shoqëri.
“KOMF kërkon vëmendjen e kryetarëve të komunave për realizimin e obligimeve si ekzekutiv, duke bërë që mbrojtja e fëmijëve të jetë prioritet në programet qeverisëse në nivel komunal, në mënyrë që të punohet në parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda”, ka shpjeguar ajo.
Ndryshe, Kosova përpos që nuk ofron asnjë skemë sociale apo përfitime për të gjithë fëmijët, organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, kanë kërkuar nga ekzekutivi që të rishikohet skema sociale dhe në kuadër të saj, të vendosen edhe shtesat për fëmijë.
Në nëntor të vitit 2015, nëpërmjet një dokumenti me rekomandime dhe arsyetime, KOMF-i i ishte drejtuar edhe ministrit të Financave, ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Komisionit për Shëndetësi dhe atij për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Republikës së Kosovës, lidhur me propozim-rekomandimet e KOMF-it për krijimin e një granti specifik për shërbimet sociale.