Ekspertët e ekonomisë në bazë të hulumtimeve të realizuara thonë se në Maqedoni më shumë mjete hyjnë nga diaspora në formë të remitencave sesa nga investitorët e huaj.
Të dhënat që ka grumbulluar Marjan Petreski profesor në fakultetin e ekonomisë në kuadër të Universitetit “Kolegji Amerikan” në Shkup, flasin se paratë që vijnë nga mërgimtarët në formë të remitencave përmes transfertave bankare arrijnë vlerën prej 400 milionë euro, përkatësisht kontribuojnë me 4 përqind të Bruto Prodhimit Vendor në Maqedoni.
Studimi flet për vitin e kaluar.
Por, sipas të dhënave të realizuara në Universitetin “Kolegji Amerikan” është rritur dhe numri i familjeve nga Maqedonia të cilat pranojnë të holla nga familjarët e tyre nga jashtë vendit edhe atë nga 16 në 21 për qind.
“Sipas të dhënave të cilat bazohen në hulumtimet anketuese në Maqedoni hyjnë rreth 400 milionë dollarë në vit në formë të remitencave.
Bëhet fjalë për një vlerë të lartë të parave të cilat hyjnë në ekonominë e Maqedonisë pa kontribuar shteti aspak në këtë drejtim. Paratë e mërgimtarëve janë në vlerë shumë më të lartë sesa mjetet që hyjnë në Maqedoni si investime të huaja. Vërtetë bëhet fjalë për shuma të mëdha të parave të cilat hyjnë në ekonominë e Maqedonisë”, thekson Marjan Peteski nga Kolegji Amerikan në Shkup.
Ai sqaron se këto mjete në vlerë prej 400 milionë dollarë janë para të cilat hyjnë në Maqedoni përmes transfertave bankare por nëse përfshihen dhe mjetet të cilat vijnë cash gjatë ardhjes së mërgimtarëve në stinën e verës si dhe transfertat që bëhen përmes këmbimoreve atëherë del se mërgimtarët gjatë vitit 2015 në Maqedoni kanë sjellë rreth 1 miliardë e gjysmë euro përkatësisht kjo vlerë paraqet 20 përqind të Bruto Prodhimit Vendor.
“Nëntëdhjetë përqind e këtyre mjeteve shfrytëzohen për të mbijetuar, ushqim dhe pagesë të faturave po shumë pak përkatësisht vetëm 9 për qind shfrytëzohen në mënyrë produktive”, thotë Petreski.
Menderes Kuçi ish drejtues i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore konsideron se remitencat e mërgimtarëve luajnë rolin e stabilizatorit kryesor të politikave makroekonomike në Maqedoni.
“Me thënë të drejtën mjetet të cilat vijnë në formë të remitencave nga mërgimtarët fshihen nga autoritetet e vendit, përkatësisht fshihet burimi i remitencave që sipas nesh pjesa më e madhe janë nga mërgimtarët shqiptarë bazuar në lokacionet ku bëhen transferet, në mënyrë që këto mjete të mos faktorizohen sepse më së paku investohet në zonat nga ku vijnë remitencat”, thekson Kuçi.
Sipas tij, problem në vete paraqet se mjetet e remitencave shfrytëzohen për të mbijetuar familjet të cilat marrin para nga të afërmit e tyre dhe fare pak ose aspak këto mjete nuk vihen në funksion të zhvillimit të biznesit, për çka Oda Ekonomike ka hartuar edhe projekt konkret për të hapur zyra në çdo komunë në mbështetje të mbledhjes së dokumentacionit përkatës për mërgimtarët si investitorë potencial.
“Projekti është mbështetur në formë të drejtpërdrejtë edhe nga USAID. Si ide u përkrah edhe nga pushteti vendor, por kur duhej të realizohej u bllokua në hapat e parë. Duhet të hapen zyra që të animohet kjo kategori e mërgimtarëve që unë i quaj si investitorë potencial sepse ata njohin tregun në vendet perëndimore dhe u duhet fuqia punëtore që është këtu dhe gjithsesi benificionet që u jepen investitorëve të huaj“, thekson Kuçi duke shtuar se në këtë formë do të ulej papunësia, por gjithsesi edhe shkalla e varfërisë.
Ekspertët e ekonomisë njëherësh theksojnë se në bazë të hulumtimeve të realizuara mjetet të cilat i sjellin mërgimtarët kontribuojnë në po të njëjtin nivel ashtu siç kontribuojnë mjetet të cilat ndahen në formë të ndihmave sociale të cilat shteti i ndan për kategoritë më të ndjeshme sociale.