Juncker: BE duhet të bisedojë me Rusinë

Presidenti i Komisionit Evropian, Juncker në takim me presidentin rus, Vladimir Putin

Gjatë një vizite në Rusi, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, ka thënë se BE ka nevojë që të punojë me Moskën megjithë sanksionet që ja kanë vendosur njëra tjetrës BE dhe Rusia.

Juncker i ka bërë këto komente sot në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Peterburg, para se të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ai është zyrtari më i lartë i BE-së që e viziton Rusinë prejse ky vend e ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014.

Ky veprim i Rusisë kishte nxitur Bashkimin Evropian të vendosë sanksione ndaj Moskës e cila më pas vendosi të ndalojë disa prodhime që importoheshin në Rusi nga shtetetet anëtare të BE-së.

“Unë e mbaj qëndrimin se ne duhet të bisedojmë me Rusinë, lidershipin dhe popullin e saj”, ka thënë Juncker.

Ai gjithashtu ka thënë se marrëdhëniet në mes të Rusisë dhe BE-së “nuk janë të dëmtuara pa mundësi përmirësimi.”

“Ne duhet që t’i përmirësojmë ato dhe unë besoj se do t’ia dalim”, ka shtuar ai.

Megjithatë, ai ka paralajmëruar se blloku prej 28 shteteve do t’i heq sanksionet vetëm nëse Kremlini e implementon në tërësi marrëveshjen e paqes me Ukrainën të arritur në kryeqytetin bellorus, Minsk.

“Kjo është e vetmja mundësi për të nisur bisedimet tona dhe e vetmja mundësi për të hequr sanksionet që janë vendosur”.

Ndërkaq, gjatë takimit me Putinin, Juncker ka thënë se “disa shtete në Evropë nuk janë gëzuar” që ai po takohet me presidentin rus, por Juncker ka shtuar se takimi është një mundësi për “shkëmbimet qëndrimet” që ekzistojnë.