Hetuesit e OKB-së kanë thënë se ekstremistët e grupit militant Shteti Islamik, kanë kryer gjenocid në Siri dhe Irak ndaj minoritetit fetar, Yazidi.
“Gjenocidi ka ndodhur dhe ai po vazhdon”, ka thënë sot në Gjenevë, Paulo Pinheiro, kryetar i Komisionit të OKB-së për hetime në Siri.
Komisioni i veçantë i OKB-së përmes një raporti që është publikuar të njëjten ditë ka thënë se mbi 3200 gra dhe fëmijë Yazidi, të kidnapuar në Irak, ende po mbahen peng në Siri nga luftetarët e IS-it dhe se ato po përdoren si skllave seksi.
Raporti shton se militantët e IS-it, kanë kryer ekzekutime masive të pjesëtarëve të këtij komuniteti gjatë muajit gusht të vitit 2014 në Irak.
Raporti ka thënë se metodat e përdoura për ta kryer këtë gjenocid ndaj Yazidive kanë qenë: skllavërimi seksual, puna e detyruar, torturat dhe konvertimi i detyrueshëm në Islam.
“Vajza nëntë vjeçare janë përdhunuar, njejtë siç është vepruar edhe me gratë shtatëzëna”, thotë raporti, kryesisht i mbështetur në intervista me të mbijetuar dhe personel mjekësor.
Raporti pretendon se grave Yazidi gjithashtu iu është mohuar e drejta për të lindur fëmijë, pasi ato i kanë ndarë nga burrat, ndërsa i kanë traumatizuar femrat.
Hetuesit e këtij komisioni kanë thënë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të shtojë masat për të ndaluar gjenocidin dhe krimet e tjera që po kryhen ndaj Yazidive.
Vlerësohet se në Irak dhe Siri kanë jetuar 720 mijë Yazidi para se grupi militant, Shteti Islamik të sulmonte këto vende në vitin 2014.