Qeveria e Kosovës, në një mbledhje të mbajtur pasditen e së hënës, ka kërkuar që Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX, t'i vazhdohet mandati edhe për 2 vjet.
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, të cilin e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës, me rekomandimin që të mbahet një seancë plenare para përfundimit të mandatit të EULEX-it.
Nga qeveria ka dalë kërkesa që vazhdimi i mandatit të bëhet edhe me miratim nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Vendimi i qeverisë, sipas kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka pasuar letrën që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në të cilën ai ka mirëpritur vazhdimin e mandatit të EULEX-it.
EULEX-i është misioni me i madh i Bashkimit Evropian i shtrirë në një vend. Ky mision, përveç kompetencave të caktuara ekzekutive në fushën e drejtësisë, kryesisht merret me këshillimin dhe monitorimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.
Misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë në qershor të vitit 2008, për të ndihmuar rendin ligjor pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ky mision ka trashëguar një pjesë të kompetencave nga misioni i Kombeve të Bashkuara – UNMIK.