Pensionistët (s')marrin pjesën retroaktive

Pensionistët në Prishtinë, mars 2015

Shumë pensionistë kontribut-pagues i janë gëzuar vetëm për një çast rritjes së pensioneve, pasi që ata nuk kanë marrë edhe pjesën retroaktive me rritje nga muaji janar, siç ishte premtuar.

Qeveria e Kosovës, në muajin janar të këtij viti ka miratuar vendimin i cili përcakton që baza e pensionit kontribut-dhënës të jetë 158 euro, kurse pensioni më i lartë 240 euro, varësisht nga kualifikimi arsimor dhe përvoja e punës.

Kurse pas përmbylljes se procesit për aplikim dhe sjelljen e dëshmive të kualifikimit dhe përvojës, pagesat e pensioneve është thënë se do të merren në mënyrë retroaktive nga janari i këtij viti.

Por, pensionisti Adem Hyseni, i cili për 38 vite më radhë ka punuar në sistemin e arsimit në Kosovë, tregon se për këtë muaj e ka marrë pensionin me rritje, por jo edhe pjesën retroaktive,ashtu siç është premtuar nga qeveria e Kosovës.

“Jo deri më tani nuk e kam marrë pjesën retroaktive. Unë isha në institucionet kompetente për tu interesuar për këtë çështje dhe sa unë kuptova nga zyrtarët kompetentë, thuhet se pjesa retroaktive do të paguhet vetëm prej muajit prill”.

“Pavarësisht shumës së mjeteve financiare, ne si pensionistë e ndiejmëvetën shumë keq, pse po na mashtrojnë në këtë mënyrë, dhe po bëhet një lojë me ne”, ka thënë Hyseni.

Zyrtarë të Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale konfirmojnë se të gjithë pensionistët të cilët kanë sjellë dëshmitë e tyre për kualifikim, gjatë muajit maj, me pensionet me rritje kanë marrë edhe pjesën retroaktive për muajt e mbetur.

Bahri Xhaferi, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës, për Radion Evropa e Lirë thotë se një numër i vogël i pensionistëve kanë dorëzuar dokumentacionet e pakompletuara dhe tashmë komisioni është duke verifikuar dhe konstatuar nivelin e tyre arsimor.

Xhaferi thekson se pas verifikimit edhe këta pensionistë do të gëzojnë pjesën e përshkallëzuar të pensionit.

“Është ndoshta edhe ndonjë gabim eventual teknik, por them se pjesa dërrmuese, apo mbi 95 për qind, i kanë marrë mjetet në mënyrë retroaktive. Gabimet që janë bërë, apo lëshimet, do të eliminohen nga komisioni, kështu që pjesa e mbetur borxh ndaj pensionistëve do të bëhet me pagesën e pensionit të muajit qershor, ka deklaruar Xhaferi.

Edhe në Lidhjen e Pensionistëve të Kosovëpohojnë se pjesa e përshkallëzuar për të gjithë pensionistët do të merret.

Udhëheqësi i pensionistëve, Shaban Kajtazi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mospagesat mund të ndodhin për shkak të vonesave në kompletimin dhe dorëzimin e dokumentacioneve të nevojshme.

“Të gjithë ata që kanë pasur dokumentacionin e rregullt e kanë marrë pensionin me rritje, kurse ata që nuk kanë sjell dokumentacionin e rregullt, sepse konkursi ka qenë deri më 31 mars, do t’i marrin prej ditës së dorëzimit të dokumentacionit”, ka thënë Kajrtazi.

Ndryshe, në Kosovë janë të evidentuar 40 mijë pensionistë kontribut-dhënës, të cilët para vendimit për rritje të pensioneve kanë marrë nga 140 euro në muaj.

Kurse, vlera e pensionit të moshës është 80 euro në muaj, të cilët nuk përfshihen në këtë rritje të pensioneve. (REL)