UEFA e ka vënë Kosovën në Kualifikimet për Kampionatin Botëror të Futbollit në vitin 2018, në Grupin I, pasi vendosi se anëtari më i ri i saj nuk mund të luaj kundër Bosnjë Hercegovinës për shkaqe të sigurisë, raporton AP nga Parisi.
Mbrëmë UEFA ka njoftuar se Kosova se do të përfshihet në grupin prej pesë anëtarëve, ku janë edhe Kroacia, Ukraina, Islanda, Turqia dhe Finlanda.
Prej këtyre vendeve, vetëm Ukraina ende nuk e ka njihur pavarësinë e Kosovës.
Rrjedhimisht, Gjibraltari është përfshirë në Grupin H, ku gjenden edhe Bosnjë Hercegovina, Belgjika, Greqia, Qiproja dhe Estonia.
Bosnjë Hercegovina, po ashtu, nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës, e cila aktualisht është e njohur nga më se 110 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Muajin e kaluar, Kosova dhe Gjibraltari u pranuan në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) dhe ishte vendosur që atyre tu gjendej vend në garat kualifikuese për Kampionatin Botëror, që fillojnë në muajin shtator.
Një javë para se të pranohej në FIFA, Kosova u pranua në Federatën Evropian të Futbollit (UEFA) megjithë kundërshtimin e fuqishëm të Serbisë.