Konsumi i përgjithshëm në Kosovë në vitin 2015, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka qenë 2,461 milionë euro, ndërsa për ekonomi familjare 7,503 euro, si dhe për kokë banori 1,432 euro.
Nga rezultatet e dala nga këta të dhëna të ASK-së thuhet se konsumi i përgjithshëm në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014 ka një rënie të lehtë, ndërsa konsumi për kokë banori ka një rritje 3.3 për qind.
“Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2015 është shpenzuar në ushqim dhe banim. Ndërkohë që pasojnë shpenzimet për transport, alkool dhe duhan, veshmbathje dhe mobilie”, thuhet ndër të tjera në të dhënat që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Në bazë të këtyre të dhënave, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se ka pasur përmirësim të standardit jetësor të popullatës në Kosovë.
“Pra, kemi një zvogëlim të konsumit në ushqim, ndërsa kemi një rritje të konsumit në komponentët e tjerë, si në rekreacion, etj”, thuhet në rezultatet e ASK-së.
Burimi më i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare, sipas këtyre të dhënave, del të jenë rrogat nga sektori publik dhe ai privat, pastaj pensionet, të hyrat nga biznesi vetanak, si dhe paratë e dërguara nga jashtë, pra remitencat.