Sëmundja e kancerit ishte dhe mbetet një problem global i shëndetit publik. Në Kosovë, gjatë vitit 2015, janë paraqitur 808 raste të reja me këtë sëmundje. Ndërkaq gjatë këtij viti, ndonëse nuk ka ende statistika të sakta, sipas profesionistëve shëndetësorë, numri i personave të prekur mesëmundjen e kancerit ka shënuar ngritje të lehtë.
Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në këtë institucion gjatë ditës kërkojnë ndihmë deri në 300 persona.
“Klinika e Onkologjisë po funksionon me tëgjitha departamentet dhe po e përballon fluksin deri në 300 pacientë në ditë. Ata kanë nevojë për ndihmë, qoftë për mjekimet me kimioterapi, kujdes paliativ (kujdes mjekësor për personat me sëmundje të rënda) dhe kurativë ditore, radioterapi, etj. Aparatura po funksionon normalisht dhe po mbulon fluksin e pacientëve nga Kosova, Medvegja, Presheva si dhe disa raste sporadike nga Shqipëria.”
“Furnizimi është relativisht i mirë. Andaj trajtimi dhe mjekimi është shumë i lehtë. Mungesa të vogla ka, por janë barna të lira, e nuk ka ofertues për shkak të kostos së vogël. Por, ato barna pacientët i blejnë vet”, ka theksuar Hyseni.
Ndërkaq, udhëheqësi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, ka deklaruar se me një kujdes më të madh të njerëzve, sëmundja e kancerit edhe mund të parandalohet në shumë mënyra. Ai përmend disa nga faktorët që do të mund të ndikonin në parandalimin e kësaj sëmundjeje.
“Padyshim që janë disa faktorë që do të mund të ndikonin pozitivisht në parandalimin e sëmundjes së kancerit, si mos tymosja e duhanit, pasi që një ndër shkaktarët e sëmundjes së kancerit të mushkërive shkaktohet pikërisht nga tymosja. Pastaj duhet bërë më shumë aktivitete fizike, si dhe të kemi ushqyeshmëri dhe stil të shëndetshëm të jetës. Por, janë edhe kontrollet e rregullta mjekësore dhe zbulimi i hershëmqë i rrisin shanset për trajtim më të mirë dhe të lehtë”, ka deklaruar Syla.
Ndërsa onkologu Ekrem Hyseni tutje shton se krahasuar me vendet e rajonit, numri i qytetarëve të Kosovës që preken me sëmundjen e kancerit është më i vogël.
“Nuk ka shtim të rasteve të reja të shumta. Është një numër i lehtë i personave që preken me këtë sëmundje dhe nëse krahasohet me vendet e rajonit, Kosova është vendi me numër më të vogël të rasteve të reja të prekura me kancer”, ka deklaruara Hyseni.
Klinika e Onkologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka përfituar një donacion prej 294 mijëeuro, i cili përmban 200 ampula tastuzumab ( Herceptinë R), që konsiderohet se do të jetë mbështetje dhe ndihmesë në realizimin e mjekimit modern dhe të plotë të këtyre pacientëve, ka shtuar tutje Hyseni.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thonë se përdorimi i këtij produkti do të ndikojë direkt në ofrimin e vazhdimësisë së mjekimit, përmirësimin e rezultateve të mjekimit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.
Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, ka bërë të ditur se buxheti për barna për trajtimin e sëmundjes së kancerit për këtë vit është 5 milionë euro, dhe se me këtë buxhet nuk do të mund të mbulojnë 100 për qind barrën e sëmundjes. Ai shton se institucionet publike shëndetësore gjatë vitit 2015 kanë qenë të mbuluara mirë me terapi kundër kancerit.
Sidoqoftë, incidenca e sëmundjes së kancerit është në rritje. Numri i përgjithshëm i rasteve të reja të diagnostikuara të kancerit në botë, në vitin 2012, ishte 3.7 milionë dhe deri në vitin 2030 ky numër vlerësohet që do të rritet për 25 për qind, për të arritur në 4.6 milionë raste. (REL)