Haindl: Partitë të merren vesh për datën e zgjedhjeve

I dërguari gjerman për Maqedoninë, Johannes Haindl

I dërguari gjerman për Maqedoninë, Johannes Haindl, u bëri thirrje partive në Maqedoni që prokurorit special t'i mundësohet përmbushja e mandatit pa pengesa dhe lirshëm.

I dërguari i posaçëm gjerman për Maqedoninë, Johannes Haindl, pas dy ditësh të bisedave me udhëheqës partiakë e institucionalë tha në Shkup se zbatimi i plotë i marrëveshjes politike të Përzhinës është rruga e vetme përmes së cilës Maqedonia mund të dalë nga kriza e thellë politike.

“Lajmi i mirë është se ka një rrugëdalje nga kriza, e ajo është marrëveshja e Përzhinës. Në bazë të parimeve të saj përcaktohet rruga në drejtim të demokracisë, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik. "

“Lajmi i keq është se ky proces po zvarritet, kriza vazhdon t'i shkaktojë dëm vendit. Për këtë arsye mesazhi im ishte se nevojitet të riafirmohet dhe revitalizohet marrëveshja e Përzhinës si kornizë e qëndrueshme dhe obliguese për procesin reformues i cili pason", ka theksuar Johannes Haindl për mediat maqedonase para ambasadës së Gjermanisë në Shkup.

Ai e ka përshëndetur vendimin e presidentit Gjorge Ivanov, për tërheqjen e vendimit të tij për faljen e politikanëve nën hetime të Prokurorisë Speciale Publike.

Diplomati gjerman tha se partitë politike sa më parë duhet të arrijnë një ujdi për datën e zgjedhjeve dhe të përmbushin të gjitha obligimet nga marrëveshja politike për të siguruar kushte për organizimin e zgjedhje të besueshme në vend.

"Fillimisht, partitë duhet të arrijnë pajtueshmëri për datën e zgjedhjeve dhe ta bëjnë atë që nevojitet, që të përmbushen kushtet për zgjedhje të lira dhe korrekte. E dyta, prokurorit special duhet t'i mundësohet që ta përmbushë mandatin e tij pa kurrfarë pengesash dhe lirshëm. Dhe e treta, partitë duhet të arrijnë ujdi pa e shtyrë jetësimin e prioriteteve që kanë të bëjnë me reformat e apostrofuara në Raportin e Pribesë. Kjo mund të arrihet dhe realizohet. Pra, duhet të shfrytëzohet momenti pozitiv", është shprehur diplomati gjerman Johannes Haindl, duke porositur përfaqësuesit politikë në Maqedoni që në rend të parë të vendosin interesat shtetërore dhe jo ato partiake.

Diplomati gjerman, Johannes Haindl, në përpjeke për të debllokuar krizën politike në Shkup, po qëndron për të tretën herë brenda një muaji si i dërguar i posaçëm i ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank-Valter Steinmaier, që të ndihmojë në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Ndërkohë, në mesditën e së mërkurës, organizatorët revolucionit shumëngjyrësh kanë ndërmarrë, siç janë shprehur, aksion gueril, duke bllokuar tri udhëkryqet kryesore në Shkup dhe duke paralizuar tërësisht trafikun.

Përfaqësuesit e “revolucionit shumëngjyrësh” thonë se përmes bllokimit të rrugëve synohet t’i bëhet me dije pushtetit si është të jetosh në një shtet me institucione tërësisht të bllokuara nga politika.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, formimin e një qeverie teknike, e cila do ta përgatiste vendin për zgjedhje të besueshme, si dhe përfshirjen e sektori civil në bisedimet mes përfaqësuesve politik, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhje për nxjerrjen e vendit nga kriza. (REL)