Organizatorët e "Revolucionit shumëngjyrësh“ kanë theksuar se dalja e qytetarëve të Maqedonisë në rrugë ka sjellë më shumë rezultate, përfshirë anulimin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të caktuara më 5 qershor, dhe tërheqjen e pjesshme e vendimit të presidentit të Maqedonisë për faljen e politikanëve të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale Publike.
Organizatorët thanë se megjithëkëtë këta hapa nuk mjaftojnë për t’i dhënë fund krizës, andaj në një protestë masive që pritet të mbahet të hënën do të shpalosin vijat e kuqe të revolucionit shumëngjyrësh.
"Protesta e sotme do të jetë një protestë e madhe gjithëpërfshirëse ku të ftuar janë të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Qëllimi i kësaj proteste është të dërgohet mesazhi se tanimë koha ka kaluar edhe sa u përket reformave edhe ndryshimeve për të kthyer shtetin në binarët e duhur atë të sundimit të drejtësisë dhe integrimet euroatlantike".
"Për këtë shkak sot do të shpaloset plani konkret me afate për të cilat nuk do të ketë kompromise, obligime këto që do të duhet t’i përmbushin institucionet për t’u kthyer në rrugën e drejtë Maqedonia si shtet“, ka deklaruar për Radion Evropae Lirë, Petrit Saraqini nga lëvizja "Protestoj“.
Gjashtë qershori theksojnë organizatorëte protestës paraqet dhe një datë shumë të rëndësishme sepse pikërisht në këtë datë para pesë vitesh pushteti tentoi të fsheh vrasjen e Martin Neshkovskit nga forcat e sigurisë maqedonase gjatë manifestimit në sheshin e Shkupit me rastin e fitores së VMRO DPMNE-së të drejtuar nga ish kryeministri Nikolla Gruevski.
"Gjashtë qershori është datë me një rëndësi të veçantë, ditë e shënuar me gjak në kujtesën tonë, dita që na mësuan për mizorinë, brutalitetin dhe për aftësinë e pushtetit që të fshehë vrasje të një fëmije – Martin Neshkovskit. Pesë vite më vonë qytetarët janë në këmbë për drejtësi”, ka theksuar në protestën e së shtunës, Demjan Haxhi Angellkovski, duke bërë të ditur se protestat nuk do të mbahen për çdo mbrëmje sipas itinerarit të deritanishëm, megjithëse siç ka thënë pushteti do të përballet në çdo hap me presionin e qytetarëve.
Njohësit e çështjeve politike radikalizmin e protestave e shohin revoltë të qytetarëve ndaj zgjatjes së krizës tanimë më shumë se dy vite.
Ndryshe, protestat e organizuara nga rrjeti i organizatave joqeveritare "Protestoj“, organizohen për dy muaj duke filluar para Prokurorisë Speciale Publike, në mbështetje të këtij institucioni për të vazhduar me ngjyrosjen e institucioneve shtetërore dhe objektet e "Shkupit 2014" në shenjë revolte ndaj politikave të qeverisë aktuale.