Mustafa: Ekstremizmi dhe radikalizmi fetar edhe me specifika lokale

Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se radikalizmi fetar, me karakteristika lokale, po kërcënon identitetin e shoqërisë së Kosovës të tolerancës dhe harmonisë fetare.

Duke folur në takimin e dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë, Mustafa tha se vendet e rajonit duhet të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet vete për të adresuar “kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm”.

Your browser doesn’t support HTML5

Isa Mustafa - Mbledhja e qeverive shqiptare

“Epoka në të cilën po jetojmë jo vetëm që ka sfida të rënda, por disa prej tyre po bëhen edhe destabilizuese, dukekërcënuar mënyrën e të jetuarit dhe duke destabilizuar jetën normale. Ekstremizmi dhe radikalizmi fetar po shfaqen ndër ne edhe në specifika lokale, për më shumë po kërcënohet një nga shtyllat kryesore të identitetit tonë - toleranca fetare dhe një nga bazat e rrugëtimit politik kulturor ai pro perëndimor. Kjo e keqe kërcënuese për të gjithë ne, të dyja shtetet, është një arsye më shumë që shtetet tona të vazhdojnë të bashkëpunojnë mes vete”, tha kryeministri Mustafa.

Kosova dhe Shqipëria vlerësohet të jenë dy vendet e rajonit, shtetas të të cilave janë përfshirë në grupet ekstremiste dhe radikale dhe në luftërat në Siri e Irak.

Në raportin e tij vjetor për terrorizmin, Departamenti Amerikan i Shtetit, vlerësoi angazhimin e institucioneve në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, por në pjesën për Kosovën tha se “autoritetet kanë qenë pa përvojë në trajtimin e rasteve të terrorizmit, dhe komunikimi si dhe shkëmbimi i informacioneve mes agjencive të ndryshme mbeti një sfidë”.

(REL)