"Zëri i Amerikës"
Raporti vjetor për terrorizmin i Departamentit amerikan të Shtetit vlerëson se kërcënimi më i madh në vitin e kaluar në shkallë globale vazhdon të jetë grupi militant, Shteti Islamik.
Në pjesën për Kosovën vlerësohet se kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm është rritur gradualisht pas konfliktit të vitit 1999. Ai, sipas të njëjtit raport, është nxitur nëpërmjet financimit nga organizatat e huaja që predikojnë ideologji ekstremiste.
Në këtë raport jepen edhe detaje rreth numrit të qytetarëve të Kosovës që i janë bashkuar organizatave që po luftojnë në Lindjen e Mesme.
Raporti thotë se nga 300 kosovarët që i janë bashkuara organizatave militante, si Shteti Islamik apo Fronti al-Nusra, 250 kanë udhëtuar nga Kosova për në Siri dhe Irak.
Prej tyre, deri më tash, sipas raportit, rreth 50 veta janë vrarë.
Propaganda e grupeve të dhunshme ekstremiste, sipas raportit vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit, është përhapur duke përdorur në mënyrë aktive rrjetet sociale.
Në raport gjithashtu përmendet fakti se gjatë vitit të kaluar policia e Kosovës ka arrestuar persona me dyshimin se kanë planifikuar sulme terroriste. Megjithatë, gjatë vitit 2015, në Kosovë nuk ka pasur incidente të tilla.
Raporti më pas përmend edhe veprimet e tjera që autoriteti shtetëror kosovar ka ndërmarrë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, duke kujtuar me theks të veçantë planet, strategjitë dhe legjislacionin e miratuar. Në këtë raport vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit përmendet edhe ligji i miratuar nga Parlamenti kosovar në prill të vitit të kaluar, me të cilin ndalohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja.
Megjithatë, vlerëson më tej raporti, autoritetet në Kosovë kanë qenë pa përvojë në trajtimin e rasteve të terrorizmit, dhe komunikimi si dhe shkëmbimi i informacioneve mes agjencive të ndryshme mbeti një sfidë.
Në këtë raport përmendet edhe përmirësimi i “aftësisë së Kosovës për të ushtruar autoritetin e saj në veri që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndonëse kjo marrëveshje ende nuk po zbatohet plotësisht nga të dy vendet.
Raporti i njëjtë për Shqipërinë vlerëson se korrupsioni, i kombinuar me një sistem drejtësie që funksionon dobët, vazhdoi të pengojë përpjekjet për të vendosur rend në të gjitha nivelet në Shqipëri.
Megjithatë, Shqipëria çmohet në këtë raport për kontributin e dhënë në përpjekjet globale kundër terrorizmit gjatë vitit të kaluar, sidomos duke dhuruar sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni për forcat Peshmerga në Irakun verior.
*Ky material fillimisht u publikua në VOA Shqip