Hungaria forcon kufirin, migrantët s’heqin dorë

Migrantët në kufirin hungarez, tetor 2015

Çdo ditë, qindra migrantë bëjnë përpjekje të kalojnë kufirin Serbi-Hungari, ndërsa presioni mbi këtë portë të Bashkimit Evropian është gjithnjë në rritje, thonë mediat hungareze.

Për ata që me dokumente të migracionit presin lejen për të hyrë në Hungari, janë ngritur qendra tranziti te vendkalimet kufitare Horgosh dhe Kelebija.

Kjo procedurë, megjithatë, është shumë e ngadalshme, sepse vetëm 20 njerëz në ditë marrin dritën e gjelbër për të hyrë në Hungari.

Në ato kampe të improvizuara në tokën e askujt ndodhen rreth 150-200 njerëz, ndërsa po planifikohet ngritja edhe e një kampi pranë fshatit Asothalom, në jug të Hungarisë.

Shumica e refugjatëve, prapëseprapë, bën përpjekje që vetë të futet në tokën e BE-së, e cila është synim i të gjithëve.

Vetëm gjatë fundjavës së kaluar, policia ka penguar rreth 300 tentativa të tilla, të cilat janë të paligjshme. Këto ditë, edhe policia kufitare serbe ka penguar kontrabandimin e 44 migrantëve, duke arrestuar edhe kontrabandistët e tyre.

Këtë vit, autoritetet hungareze po ashtu kanë zbuluar 120 trafikantë, të cilët kanë kërkuar nga migrantët nga 1,000 euro për t’iu kaluar kufirin, tregon Gyeorgy Bokondi, këshilltar për siguri i kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.

“Falë rrethojes me tela janë ndaluar shumë kalime jolegale. Po të mos ishte kjo pengesë, në Hungari me siguri se do të kishte rreth një milion migrantë. Dhe, mund të paramendojmë se si qytetarët tanë do t’ia dilnin me aq shumë migrantë”, thotë Bokondi.

Sipas tij, vala e fundit e refugjatëve është pasojë e zbrazjes së kampit në Idomeni të Greqisë.

Ndryshimet e papritura në dinamikën e migrimit vihen re edhe në Suboticë të Serbisë, ku, në baza ditore, arrijnë dy-tre autobusë me migrantë nga Beogradi. Shumica e tyre qëndrojnë për disa ditë dhe net në stacion të autobusëve.

Ata që kanë para, vazhojnë rrugën me taksi deri në kufirin hungarez, kurse të tjerët me këmbë ose autobusë lokalë.

Por, kalimi i paligjshëm i kufirit është ndoshta edhe pjesa më e vështirë e udhëtimit të tyre. Shumë bëjnë përpjekje edhe disa herë, e pasi dështojnë, kthehen në Suboticë ose përsëri në Beograd.

“Një ditë, ndoshta do të arrij të kaloj kufirin. Një ditë… Jam nisur nga Pakistani, përmes Iranit, Turqisë, Greqisë, Maqedonisë e Serbisë para dy muajsh. Në Serbi jam dy javë dhe sot, për herë të dytë, do të provoj të kaloj në Hungari. Kam qëndruar në kufi tre-katër ditë, por nuk kam kaluar. Ka shumë policë, edhe hungarezë, edhe serbë, andaj shumica kthehen. Besoj që një ditë do të kem fat”, thotë Imran Avzal, 20 vjeç, nga Pakistani.

Në rrugët lokale përreth kufirit shihen grupe të sapoardhurish nga Afganistani, Pakistani, Iraku dhe Siria, edhe pse më pak se vitin e kaluar, thotë kryetari i bashkësisë lokale të Horgoshit, Robert Shorsh.

“Aktualisht, në qendër të fshatit nuk kemi shumë migrantë, por ka të tillë në rrugët anësore që shkojnë kryesisht drejt kufirit. Ata që kanë dokumente të rregullta, vendosen midis dy kufijve – nga 100 deri në 150 veta – kanë tenda dhe për ta kujdesen vullnetarët, që pastrojnë dhe sjellin ushqime. Ata presin në atë hapësirë derisa autoritetet hungareze u lejojnë të vazhdojnë rrugën. Familjet me fëmijë kanë përparsi dhe ato e marrin më shpejt lejen”, thotë Shorsh. (REL)

Përgatiti: Valona Tela