Në verën e vitit 2004, një grup aktivistësh pranë qytetit Saransk të Rusisë ka bërë një zbulim të madh – ka gjetur rreth 500-700 trupa në varreza masive në një pyll.
Ata kanë qenë trupa të viktimave të Terrorit të Madh të Josef Stalinit në vitet 1930. Sipas historianëve lokalë, viktimat kanë qenë priftërinj ortodoksë, klerikë myslimanë, mësues lokalë, fermerë dhe punëtorë.
“Informacionet për varrin ua kemi dhënë qeverisë, qarqeve akademike dhe shoqërisë civile. Por, të gjithë kanë heshtur”, ka thënë aktivisti Nikolai Kurchinkin për gazetën ruse, Rossiiskaya Gazeta.
Aktivistët kanë shpresuar se trupat do të zhvarrosen dhe varrosen në varrezën e qytetit. Kanë menduar po ashtu se do të ngrihet monument në vendin ku viktimat janë tërhequr zvarrë në pyll dhe janë qëlluar pas koke.
Atje, më 23 maj, është zbuluar një monument, njëri nga monumentet e pakta në Rusi që u kushtohet “viktimave të represionit politik gjatë viteve 1930”. Por, pos një rreshti që e njeh këtë fakt, pjesa tjetër e tekstit nderon vetëm një viktimë të veçantë të terrorit të Stalinit: Valter Vandin, ish-kreun e një dege të Komesariatit të Popullit për Çështje të Brendshme, i cili ka kryer ekzekutime dhe forma të tjera të represionit politik në atë kohë.
Zbulimi i monumentit është organizuar nga Ministria e Brendshme e Republikës së Mordovisë. Folësit në ceremoni kanë përfshirë zëvendësministrin e Brendshëm të Mordovisë dhe mbesën e Vandit, Nina Freiman. Ceremonia është bërë në 78-vjetorin e ekzekutimit të vetë Vandit.
“Ky monument nuk është vetëm për viktimat e represionit poliik. Është monument edhe për familjet e tyre, të cilat në një moment janë bërë ‘armiq të popullit’. Ky monument është për ata që kanë ndarë fatin e të afërmve të tyre, që nuk i kanë tradhtuar dhe që kanë luftuar për emrin e tyre deri në fund të ditëve të tyre”, ka thënë Freiman.
Është e ditur se shumë komunistë kanë qenë në mesin e viktimave të Stalinit. Në mesin e “viktimave” të tilla duhet llogaritur shefin e Vandit, Nikolai Yezhov. Yezhov, i cili ka udhëhequr Komesariatin e Popullit për Çështje të Brendshme gjatë viteve më të këqija të terrorit, është arrestuar edhe vetë, është torturuar dhe është ekzekutuar në vitin 1940. Një nga krimet, për të cilat dyshohet se është vrarë, ka qenë urdhri për spastrimin e rreth 14,000 oficerëve të Komesariatit të Popullit dhe zyrtarëve të tjerë të sigurisë.
Në mesin e tyre ka qenë Valter Vand. Ai ka lindur në Gjermani dhe ka shërbyer si zyrtar gjerman në Luftën e Parë Botërore. Ai është marrë rob në Rusi dhe ka vendosur të mbetet në këtë vend pas grushtshtetit bolshevik më 1917. Ai ka nisur karrierën e tij në makinën sovjetike të represionit më 1920, duke u bërë udhëheqës i policisë sekrete të Mordovisë më 1932.
Sipas një blogu të shkrimtarit rus, Boris Akunin, Vand është bërë shtetas sovjetik në vitin 1932, pasi ka qenë në krye të policisë së Mordovisë.
“Ai ka qenë i mbushur me patriotizmin rus dhe dashurinë për këtë vend të gjerë, andaj ka zgjedhur t’i kushtojë jetën shërbimit në të mirë të Rusisë sovjetike”, ka thënë zëvendësministi i Brendshëm i Mordovisë, Tolkunov.
“Edhe pse fati i tij ka qenë tragjik – (Vand është arrestuar në qershor të vitit 1937 dhe është qëlluar për vdekje më 23 maj, 1938) – ai u ka mbetur besnik parimeve dhe bindjeve të tij deri në fund”, ka shtuar ai.
Laureatja e Çmimit Nobel për Letërsi, Svetlana Alexievich, ka komentuar në tetor të vitit 2015 hijen e Stalinit.
“Njerëzit e deformuuar kanë dalë nga socializmi, sepse një kamp burgu deformon edhe torturuesin, edhe viktimën. Ajo që ka mbetur është inteligjenca e deformuar, e cila nuk di se ku është e mira dhe ku e keqja”, ka thënë Alexievich. (REL)