Ndiqen protestuesit e revolucionit shumëngjyrësh

Your browser doesn’t support HTML5

Edhe Zaev hedh bomba me ngjyrë

Paralelisht me protestat e “revolucionit shumëngjyrësh” ka vazhduar marrja në pyetje e më shumë aktivistëve nga ana e policisë, të cilët janë gjobitur me të paktën 3 mijë denarë, apo 50 euro, për shkak të hedhjes së balonave me ngjyrë në drejtim të institucioneve shtetërore.

Në shënjestër të ngjyrosjes nga ana e aktivistëve të shoqërisë civile janë kryesisht institucionet që shihen si fajtore kryesore për gjendjen e krijuar apo që janë vënë në shërbim të plotë të pushtetit, si Kuvendi, Qeveria, Ministria e Drejtësisë, ajo e Kulturës, Gjykata Kushtetuese, përmendore e objekte tjera në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, për të cilin supozohet se janë shpenzuar mbi 500 milion euro.

Your browser doesn’t support HTML5

Një muaj nga Revolucioni Shumëngjyrësh

Protestat kanë nisur më shumë se një muaj më parë, që kur presidenti Gjorgje Ivanov vendosi të falë mbi 50 zyrtarë që po hetoheshin nga prokuroria speciale për vepra të rënda, që për bazë kishin aferën e përgjimeve.

Irena Sterijovksa, aktiviste e gjobitur nga policia, thekson se masa e tillë ka për qëllim frikësimin e saj, por një veprim i tillë i pushtetit, siç shprehet ajo, nuk do ta frikësojë në betejën e nisur të shoqërisë civile për vendosjen e demokracisë së vërtetë në shtet.

“Revolucioni shumëngjyrësh ka ngjyrosur dhe do të vazhdojë të ngjyros gjithçka që është e gabuar në këtë sistem, andaj i bëj thirrje se e kanë gabim nëse mendojnë të na ndalojnë me frikësime. Gjithçka është e gabuar në këtë shtet, të gjitha institucionet janë të gabuara, si Kuvendi, ashtu edhe Ministria e Drejtësisë, Gjykata kushtetuese, dikasteri i kulturës dhe institucione tjera”, ka deklaruar aktivistja Irena Sterijovksa, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave deri në arritjen e qëllimit përfundimtar; anulimin e vendimit të presidentit për faljen e zyrtarëve të inkriminuar.

Edhe një nga protestuesit e tjerë më të zëshëm, Petrit Saraçini, thotë se kërcënimet e tilla nuk do të mund të ndalojnë protestat që tani më kanë hyrë në muajin e dytë. Saraçini thotë se aktet e tillë mund të rrisin edhe më shumë pakënaqësinë e qytetarëve në mbështetje të protestave.

“Thirrjet e aktivistëve dhe protestuesve në biseda informative nga ana e policisë janë vetëm një tentim i pushtetit për të pakësuar numrin e atyre që dalin në protestë dhe një demonstrim për të treguar se kush udhëheq me MPB-në pas kthimit të qeverisë politike të VMRO-s dhe BDI-së. Mirëpo, ky veprim i atyre nuk do t'i zmbraps ata, përkundrazi do të inkurajojë edhe qytetarët tjerë të marrin në dorë sovranitetin në duart e atyre, ashtu siç i ka hije në kohën kur shteti është i okupuar nga një klikë kriminale”, thotë Saraçini.

Protestuesve në ngjyrosjen e institucioneve të mërkurën në mbrëmje iu bashkuan edhe drejtuesit e opozitës, në shenjë solidarizimi me aktivistët e thirrur në biseda informative.

Lideri i Lidhjes Social-demokrate, Zoran Zaev, duke kundërshtuar etiketimin e protestuesve si huliganë tha se ai por edhe të gjithë politikanët e tillë ndjehen si të tillë, nëse pushteti vazhdon t'i quajë të tillë ata që nuk kërkojnë asgjë përveç funksionimit të shtetit juridik në vend.

“Kjo është një performansë nga të gjithë ne huliganët dhe huliganet, pjesë përbërëse e revolucionit shumëngjyrësh. Ky është një akt solidariteti me të gjithë ata që janë vënë në thikën e padrejtësisë dhe represionit të këtij pushtetit. Nuk mund të na frikësojnë. Nuk mundet të na gjobisin. Çdo hap i mëtejmë i tyre për frikësimin e aktivistëve është vetëm se inkurajim i të gjithë atyre që duan një Maqedoni demokratike, ku sundon ligji dhe drejtësia”, ka deklaruar Zaev, duke paralajmëruar, siç ka thënë, “fundin e betejës kundër regjimit”.

Drejtuesit e institucioneve nuk kanë komentuar akuzat e aktivistëve, por kanë thënë se po veprojnë në përputhje me ligjin për pastërti publike, që parasheh gjoba për të gjithë qytetarët që dëmtojnë pronën shtetërore.

Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, në një intervistë për një nga portalete afërta me politikën e VMRO-së, protestuesit i ka krahasuar me grupe sektare, që, sipas tij, kanë për qëllim dëmtimin me forcë të gjithçkaje që ka të bëjnë me politikat e partisë së tij. Protestuesit, ndërkohë, nuk e përjashtojnë mundësinë e radikalizmit të shprehjes së pakënaqësisë nëse vazhdon injorimi i kërkesave të tyre.

REL