Një protestë e qytetarëve të Deçanit kundër vendimittë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me të cilin i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë, përfundoi e qetë.
Nën organizimin e kryetarit të Deçanit, Rasim Selmanaj, e në mbështetje të të gjitha forcave politike në komunë, protesta, sipas policisë së Kosovës, mblodhi mbi 3 mijë qytetarë, të cilët u shpërndanë të qetë pas përfundimit të saj.
Kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, tha se protestat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen kundër këtij vendimi, siç e quajti, të padrejtë të Gjykatës Kushtetuese. Selmanaj tha se vendimi i Gjykatës është politik se nuk është “zgjidhje falja e pronës Manastirit”. Ai tha se as komuna dhe as ai nuk do ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne jemi për drejtësi dhe jo kundër saj. Por, nëse ka drejtësi në këtë vend dhe nëse duam të respektojmë ligjet, atëherë ekzistojnë dy zgjidhje – privatizimi i kësaj prone. Nëse duhet dikujt t'i falet kjo pronë, atëherë kjo duhet t’i bëhet qytetarëve të Deçanit”, tha Selmanaj përpara qytetarëve të mbledhur në Deçan.
Ai i bëri thirrje edhe Igumenit të Manastirit, Sava Janjiq, por edhe bashkësisë ndërkombëtare, që së bashku ta zgjidhin këtë çështje.
Kryetari i Deçanit tha se të gjithë janë të bashkuar kundër vendimit të padrejtë të Gjykatës Kushtetuese dhese beson që me asnjë ligj dhe me asnjë vendim nuk mund t'i falen Manastirit pronat. Ai tha se Deçani është vend i civilizimit dhe Manastiri i takon kësaj komune dhe vetë Deçani do ta ruajë si vlerë të tij.
Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi vendimin e vitit të kaluar të Këshillit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme që lënda t’i kthehet sërish Gjykatës Komuale në Deçan.
Gjykata Kushtetuese e konsideron vendimin e Gjykatës Supreme të vitit 2012, me të cilën i njihet e drejta në pronësi Manastrit të Deçanit, si çështje të mbyllur.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përkrahur nga Dioçeza e Kishës Ortodokse Serbe për Rashkën dhe Prizrenin, e cila ka vlerësuar se Gjykata ka treguar gatishmërinë dhe kompetencë për të marrë një “vendim të paanshëm me të cilin mbrohet e drejta në pronë e Manastirit”.