Kriza me borxhe: Greqia arrin marrëveshje me Eurozonën

Kryeministri grek, Alexis Tsipras (Djathtas) dhe ministri i Financave, Euclid Tsakalotos, Athine, 1 dhjetor 2015

Greqia ka arritur marrëveshje me ministrat e Financave të Eurozonës, për të zhbllokuar këstin e ndihmës, në vlerë prej 10.3 miliardë eurosh, nga kreditorët ndërkombëtarë.

Përfaqësuesit e zonës euro po ashtu janë pajtuar që t’i lehtësojnë Athinës presionin e borxhit, duke i zgjatur periudhën e ripagimit dhe duke i mbuluar normat e interest.

Greqisë i duhet ky këst i parave për të ripaguar borxhet deri në muajin korrik.

Qeveria greke u ka borxh kreditorëve mbi 300 miliardë euro – apo rreth 180% të prodhimit të saj ekonomik vjetor (GDP).

Tani që marrëveshja është arritur, Fondi Monetar Ndërkombëtar do të konsiderojë kontributin e tij në paketën e ndihmës.

Nëntëmbëdhjetë ministrat e Eurozonës kanë thënë se marrëveshja është bërë e mundur me reformat ekonomike që ka bërë Greqia dhe e kanë cilësuar atë si “kthesë të madhe”.

Marrëveshja e së mërkurës nuk redukton shumën që duhet të ripaguajë Greqia. Lehtësimi i borxhit do të futet gradualisht nga viti 2018, pas zgjedhjeve të përgjithshme në Gjermani, që do të mbahen në fund të vitit të ardhshëm. Si e tillë, marrëveshja konsiderohet më shumë si kompromis për të blerë kohë.

“Kemi shënuar kthesë të madhe në Greqi, e cila na mundëson të hyjmë në një fazë të re të programit të ndihmës financiare për Greqinë”, ka thënë presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.

Marrëveshja vjen dy ditë pasi Parlamenti i Greqisë ka miratuar shkurtime të reja të shpenzimeve dhe rritje të taksave, të cilat janë kërkuar nga kreditorët ndërkombëtarë.

Masat e reja po ashtu përfshijnë krijimin e një fondi shtetëror të privatizimit, i cili është kërkuar nga ministrat e Financave të Eurozonës.

Kundërshtarët e këtyre masave kanë protestuar jashtë Parlamentit grek, të dielën.

Qeveria greke, e udhëhequr nga koalicioni majtist Syriza, ka rënë dakord për paketën e tretë të ndihmës, në vlerë prej 86 miliardë eurosh, në korrik të vitit të kaluar.

Në atë kohë, kryeministri grek, Alexis Tsipras, i ka thënë publikut se marrëveshja me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar është mënyra e vetme për të parandaluar kolapsin total të ekonomisë greke dhe daljen e Greqisë nga Eurozona.

Me marrëveshjen e re, Greqia duhet t’i marrë fondet në qershor, për t’i paguar më pas borxhin Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në muajin korrik. Greqia po ashtu po lufton për t’iu paguar pagat punonjësve të saj të qeverisë. (REL)

Përgatiti: Valona Tela