Qeveria i ofron ndihmë ndërmarrjes Ferronikel

Ilustrim

Qeveria e Kosovës i ka ofruar ndihmë kompleksit metalurgjik “Ferronikeli” në Drenas.

Ministria e Financave, përmes një komunikate të dërguar për media,ka bërë të ditur se janë pajtuar që, përveç tjerash, pagesat e tatimit në të ardhura për kompleksin metalurgjik “Ferronikel” të përmbushen me këste, deri në stabilizimin e situatës në tregjet botërore të metaleve.

“Ministria e Financave mund të ofrojë përkrahje për këtë kompani, sipas të cilës janë ulja e garancionit bankar, në harmoni me kërkesën e kompanisë ‘Ferronikeli’, në momentin e përmbushjes së obligimeve ndaj Doganave të Kosovës. Përkrahje në marrjen e licencës nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për importin direkt të vajrave të rënda, hap i cili i liron nga detyrimet në pagesat e akcizës për këtë lëndë e të tjera”, thuhet në komunikatën për media.

Kompleksit metalurgjik “Ferronikeli” në muajin prill kishte shpallur ndërprerje të planifikuar të prodhimit, për shkak, siç kanë thënë zyrtarë të kësaj kompanie, problemeve teknike dhe rënies së vazhdueshme të çmimit të nikelit në tregun e metaleve.