Kriza politike në Maqedoni, që ka marrë intensitet që një vit e gjysmë, është përcjellë edhe me tensione ndëretnike, që në disa raste kanë kaluar edhe në incidente tragjike. Lidhur me atë nëse ekziston rrezik që përplasjet politike mes pozitës dhe opozitës të shndërrohen në një konflikt edhe në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike, vlerësimet janë të ndryshme.
Njohësit e çështjeve të ndëretnicitetit thonë se konfrontimet nuk mund të përjashtohen, ndërsa fajtorë për këtë i bëjnë klasat politike, të cilat, sipas tyre, për të ruajtur pushtetin dhe privilegjet janë të gatshme të bëjnë gjithçka. Në këtë rast, Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike përmend, siç thotë, tentimin e rrezikshëm të VMRO-së së Nikolla Gruevskit që e vetme të shkojë në zgjedhje.
“Pavarësisht zhvillimeve të deritanishme, raportet ndëretnike në Maqedoni i vlerësoj si të mira, por kam frikë se me veprimet e fundit të partisë në pushtet, VMRO DPMNE, ato mund të përkeqësohen. Këtu do të veçoja përpjekjen e saj të fundit që e vetme të shkojë në zgjedhje , që në rast se nuk do të evitohej vërtetë do ndizte tensionet ndëretnike."
"Kjo parti, por edhe partneri i saj, partia shqiptare, disa herë kanë dëshmuar se nuk zgjedhin mjete për ruajtur pushtetin dhe kjo mund të ilustrohet me shumë fakte, para se gjithash me rastin e Kumanovës, kur për të shpërqendruar vëmendjen nga afera e përgjimeve u inskenua një incident i përmasave të mëdha”, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, duke shtuar se veprime të tilla të papërgjegjshme, siç shprehet ai, mund të prodhojnë kundërpërgjigje të partive, apo të grupeve të caktuara që mund të rikthejnë skenat e vitit 2001.
Por, mendim tjetër ka njohësi i çështjeve politike, publicisti Emin Azemi. Ai thotë se përpjekje për tensionime ndëretnike do të ketë nga parti e qarqe të caktuara, por ato, sipas tij, nuk do të mund të godasin raportet ndëretnike, gjë që u dëshmua edhe me rastin e Kumanovës, ku pavarësisht incidentit të rëndë të armatosur, dy komunitetet arritën të ruajnë ndëretnicitetin, të bindur se bëhet fjalë për incident të sajuar për qëllime të ndryshme.
Azemi vlerëson se vendimi i VMRO-së për të shkuar e vetme në zgjedhje nuk do të prodhonte asnjë efekt, ashtu edhe siç ndodhi, pasi si i tillë ose nuk do të realizohej ose do jetë afatshkurtër.
“Situata politike që po përshkruhet me një krizë, e cila nuk po arrin të lokalizohet, ka rrezik të zgjerohet, mirëpo unë nuk besoj se kriza do të kalojë në terrenin ndëretnik,pasi ne e dimë se edhe në vitin 2001,kur kishim edhe një situatë më të tendosur, qytetarët e etniteteve të ndryshme e ruajtën gjakftohtësinë dhe nuk arritën të bien pre e provokimeve të ndryshme.”
“Mund të ketë përpjekje për ndonjë inskenim nga pushteti që për të tërhequr vëmendjen në krizën aktuale të bëjë palë edhe faktor të tjerë të shoqërisë, andaj mund të pritet ndonjë incident, por nuk besoj se shqiptarët dhe maqedonasit do të bien në provokime të tilla”, thotë Azemi, duke shtuar se për të pasur konflikte duhet pasur motive që, sipas tij, për momentin dy bashkësitë më të mëdha etnike nuk i kanë.
“Unë mendoj se shqiptarët dhe maqedonasit kanë motive sociale dhe ekonomike, por nuk kanë ndonjë problem të pazgjidhur mes veti që të kenë konflikt ndëretnik. Prandaj, mendoj se politika e keqe gjithmonë gjen aleatë tek shqiptarët dhe maqedonasit, por ata janë individë, e jo masë, apo popullatë e cila nuk ka motive për ndonjë konflikt ndëretnik në Maqedoni”, thotë publicisti Emin Azemi.
Ndryshe, gjatë kohës sa po zgjatë kriza politike, përveç incidentit të armatosur në lagjen e Trimave në Kumanovë, kishte edhe provokime të ndryshme në baza etnike, ku vlen për t’u veçuar vendimi i Kongresit botëror maqedonas, i cili me mbështetjen e VMRO-së kishte ndërmarrë një nismë për ngritjen e një kryqi të lartë 55 metra në Butel të Shkupit, një zonë e banuar me popullatë të përzier.
Ky akt kishte nxitur tensione e protesta të shumta, që detyruan organizatorin të heq dorë nga ajo nismë , që vlerësohej si e rrezikshme për raportet ndëretnike. Njohësit e çështjeve politike thonë se edhe ky incident ishte i sajuar nga partitë politike, për të shpërqendruar vëmendjen nga kriza politike.