Gjykata Themelore në Ferizaj i ka shqiptuar dënimin prej 10 vite burgim ish-imamit të xhamisë “El-Kudus” në Gjilan, Zeqirja Qazimi.
Ish imami Zeqirja Qazimi, sipas komunikatës së lëshuar nga Gjykata Themelore akuzohet se duke keqpërdorur pozitën e tij si imam në xhaminë “ El-Kuddus” në Gjilan, publikisht ka nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike dhe grupe tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës.
Aktiviteti i tij është konstatuar se kishte si qëllim të prishë rendin publik, në atë mënyrë që në një video incizim të postuar në vitin 2013 në YouTube ka thënë “Gjaku i kufarëve (mosbesimtarëve) është pija më e mirë për ne”, dhe me këtë ka kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimi kombëtar, racor, fetar apo etnik.
Bashkë me ish-imamin Qazimi për pjesëmarrje në grup terrorist janë dënuar edhe Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba.
I pandehuri Ilir Berisha, në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës akuzohet se ka kryer tre vepra penale, rekrutimi për terrorizëm, veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe mbi bazën e këtyre akuzave iu shqiptua dënimi unik, burgimi në kohëzgjatje prej tetë vite burgim.
Kurse Sedat Topojanit, po ashtu i akuzuar për veprën penale rekrutimi për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrja në grup terrorist, i’u shqiptua dënimi unik prej shtatë vite e gjashtë muaj burgim.
Me 4 vite e gjysëm është dënuar i pandehuri Burim Ballazhi, i akuzuar për veprën penale rekrutimi për terrorizëm, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.
Po ashtu, Gjykata dënoi me 4 vite burgim edhe Jetmir Kyqykun, me tri vite Liridon Kabashin dhe me pesë vite Ilir Krraba, të gjithë të akuzuar për vepra penale rekrutim për terrorizëm dhe pjesëmarrje në grup terrorist.
Të pandehurit Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sedat Topjani, Burim Ballazhi dhe Jetmir Kyqyku akuzohen se me dashje kanë bërë thirrje personave të tjerë për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste, të marrin pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime materiale, gjatë vitit 2011 – 2014, dhe me këtë kanë kryer veprën penale rekrutimi për terrorizëm.
Po ashtu, Ilir Berisha, Sedat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku dhe Ilir Krraba, sipas komunikatësakuzohen se me dashje kanë marr pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, në atë mënyrë që paraprakisht janë marrë vesh që të shkojnë në luftë në Siri dhe të i bashkohen grupit të shqiptarëve që kanë luftuar në anën e organizatës terroriste ISIS.
“Kështu që të pandehurit nga Aeroporti i Prishtinës kanë udhëtuar në Stamboll pastaj në Hatay të Turqisë e pastaj përmes lidhjeve të krijuara kanë kaluar kufirin Turqi-Siri, të cilët ndërmjet periudhës 2012 – 2014, kanë qenë në luftë në Siri me qëllim që duke luftuar, padrejtësisht të detyrojnë qeverinë Siriane që të lënë pushtetin dhe seriozisht të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturën Kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe pastaj të krijojnë shtetin islamik Iraku dhe Levant, andaj me këtë kanë kryer veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist”, theksohet në komunikatë.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.